Dr. Bashkim Iseni: „Kurti ishte një shpresë për kosovarët e rinj“

Date:

Qeveria në Kosovë është zëvendësuar- pa pëlqimin e popullit. Komuniteti kosovar në Zvicër është zemëruar

Kosova po kalon kohë turbulente: Pas vetëm disa javësh në detyrë, kryeministri Albin Kurti është dashur të largohet nga pozita e tij që e kishte nga muaji mars. Disa ditë më parë, pasardhësi i tij Avdullah Hoti e mori detyrën pa mundur të bisedojë me popullin. Cfare ndodhi?
Partia e majtë Vetëvendosje e Albin Kurtit, doli fitimtar në zgjedhjet në tetor të vitit 2019. Kurti u zgjodh kryeministër nga Parlamenti më 3 shkurt dhe njëri ndër veprimet e tij të parë ishte ulja e pagave të qeveritarëve. Me gjithë popullaritetin në rritje në mesin e popullatës, qeveria e koalicionit me partinë e qendrës së djathtë LDK nuk zgjati shumë: Kur Kurti shkarkoi një nga ministrat e saj për shkak të mosmarrëveshjeve se si të menaxhohej kriza e koronavirusit, LDK e tërhoqi përsëri besimin e tij më 25 mars.

Presidenti Hashim Thaçi atëherë caktoi Avdullah Hotin nga LDK-ja që ta formojë një qeveri të re. Me gjithë kritikat, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e shpalli emërimin të ligjshëm dhe të mërkurën Hoti u zgjodh kryeministër i ri me shumicë të rrallë dhe vetëm një votë në parlament. Kurti luftoi kundër formimit të qeverisë së re dhe bëri thirrje për zgjedhje të reja.
Në komunitetin kosovar në Zvicër, shumica janë zhgënjyer nga situata në vendin e tyre. Për shembull, Shkumbin Gashi (29) nga Olteni: „Këto janë ditë të trishtueshme për demokracinë tonë“, thotë ai. Situata aktuale minon gjithçka që është arritur deri më tani: «Qeveria e Kurtit vendosi standarde të reja, për mënyrën e qeverisjes me profesionalizëm të vendit. Sipas mendimit tim, ata bënë një punë të shkëlqyeshme duke luftuar kundër pandemisë Covid 19», ka cituar deklaratën e tij „20 Minuten“.

Ai veçanërisht nuk e pëlqeu mënyrën e krijimit të qeverisë së re: „Politikanët marrin vendime që nuk mbështeten nga populli“. Shumica e të njohurve të tij në Kosovë dhe Zvicër janë kritikë për ndryshimin e qeverisë, tha studiuesi i doktoraturës së psikologjisë. Tani, shumica kërkojnë zgjedhje të reja. „Me këtë rast, nuk bëhet fjalë se cilës parti i takoni, por se populli e ka fuqinë dhe mund të vendosin se kush do ta drejtojë vendin“.

Edhe kosovarit Bekim Hoti (47), i cili në Zvicër është duke jetuar tashmë 20 vite, nuk i pëlqen ndryshimi i qeverisë: „Kështu, populli e humb besimin në demokracinë kosovare“. Shumica kanë besuar në një ndyrshim: „Kam frikë se shumë njerëz nuk do të votojnë më.“
Bekim Hoti është i rrjetëzuar mirë në Zvicër dhe Kosovë: Ai është aktiv në një shoqatë që mbështet partinë e Albin Kurtit. „Shumë miq të mi janë zhgënjyer“, thotë 47-vjeçari. Midis tyre nuk janë vetëm mbështetësit e Kurtit: „Përkrahësit e ish partnerit të tij të koalicionit gjithashtu janë larguar nga partia. Për më tepër, janë mobilizuar shumë njerëz që kanë qenë apolitikë».

Kjo është arsyeja përse Hoti ka shpresë: «Tetorin e kaluar ishte ndjenj se po fillonte një epokë e re. Kjo mund të ndodhë përsëri në zgjedhjet e ardhshme». Edhe Gashi gjithashtu beson se së shpejti do të ketë zgjedhje: «Për momentin është vështirë për shkak të krizës së koronavirusit. Por njerëzit duan ndryshim, presioni do të rritet». Ky presion mund të shihet edhe në një peticion në internet që filloi në fillim të qershorit dhe bën thirrje për zgjedhje të reja: Tashmë mbi 55,000 njerëz e kanë nënshkruar atë, informon Shtegu.com.

Zemërimin e kanë shprehur edhe një grup studentësh kosovarë në vendet europiane të cilët kanë realizuar një protestë në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për dekretin e presidentit Hashim Thaçi lidhur me mandatarin e Qeverisë, duke e shpallur të vdekur “rendin kushtetues të Kosovës”.

Studentët, sipas njoftimit, protestën e kanë organizuar në pesë qytete europiane, para ambasadave dhe konsullatave të Kosovës në Londër, Berlin, Frankfurt, Bernë, Gjenevë dhe Cyrih.

“Ne, studente dhe studentë në mërgatë, edhe pse fizikisht larg nga njëri-tjetri, jemi bashkuar sot për të mbështetur e për t’u solidarizuar me shqetësimin dhe zemërimin e madh qytetar që ka shkaktuar vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Në Londër, Berlin, Frankfurt, Bernë, Gjenevë dhe Cyrih jemi mbledhur para ambasadave ose konsullatave të Republikës së Kosovës, ku kemi vendosur një karrige e mbi të një peshqir të bardhë, lule e lajmërimin ku, ndër të tjera, shkruhet: ‘me dhimbje të thellë ju njoftojmë se në orët e vona të datës 28 maj 2020, u nda nga jeta në moshë të re Rendi Kushtetues i Kosovës. Ngushëllimet mund t’i shprehni duke vizituar Ambasadën ose Konsullatën, por edhe nëpërmjet telefonit ose letrave postare’”, kanë shkruar studentët në deklaratën e tyre.
Ndër të tjera, ata kanë porositur:

„Na janë bashkuar dhe qytetare e qytetarë të tjerë që besojnë se institucionet shtetërore duhet të veprojnë në dobi të së mirës së përgjithshme e jo si zëdhënëse të interesave të ngushta të klaneve të caktuara politike. Instalacioni modest do të mbetet para ambasadave e konsullatave deri më 7 qershor, që të mund ta vizitojnë e të lënë mesazhet e tyre dhe ata që nuk patën mundësi sot. Në ditët në vijim këtij aksioni do t’i bashkohen dhe studente e studentë nga Parisi, Vjena, Praga, Lubjana, Shtutgarti e qytete të tjera. Sepse e dimë sa e rëndësishme është pjesmarrja aktive në demokraci! Të jesh student/e është privilegj por edhe një përgjegjësi e madhe, sidomos duke pasur parasysh kontekstin historik në të cilin gjendet dhe atë socio-ekonomik me të cilin përballet Kosova jonë. Jemi tejet të shqetësuar për fatin e saj, por edhe më të vendosur se kurrë për t’u angazhuar në ndërtimin e shtetit të së drejtës, principet e të cilit nuk shkelen në mënyrë flagrante.

Kosova e ëndrrave tona është demokratike dhe e zhvilluar! Është një vend ku duam dhe duhet të mund ta imagjinojmë të ardhmen!“.

Lidhur me këtë çështje, për „20 Minuten“ është pronocuar edhe Bashkim Iseni.

Z. Iseni, pse e mbështesin aq shumë njerëzit Albin Kurtin?

Ai është shumë karizmatik dhe i arsimuar. Me të dhe lëvizjen e tij Vetëvendosje në pushtet, për herë të parë në Ballkan u krijua një qeveri që mendonte se po i shërbente popullit. Ai u dha një perspektivë, sidomos kosovarëve të rinj.

Cili është problemi me qeverinë aktuale?

Thaçi përdori mekanizmat e demokracisë për t’i anashkaluar ato. Tani ai ka instaluar një kryeministër pa legjitimitet nga populli. Partitë dhe politikanët tani në pushtet përfaqësojnë elitën e vjetër, të korruptuar.

Çfarë do të ndodhë më pas në Kosovë?

Padyshim që do të ketë zgjedhje të reja – me siguri gjatë këtij viti. Sidoqoftë, mund të ketë trazira sociale nëse shpërthejnë përsëri tensionet e vjetra etnike. Unë personalisht nuk jam shumë optimist. Është një mundësi e humbur, jo vetëm për Kosovën por për të gjithë rajonin.

* Bashkim Iseni është një shkencëtar politik dhe docent në Universitetin e Fribourgut.

Shpërndaj:

REKLAMOHU KËTU

1 Javë: 50€

1 Muaj: 150€

DËRGO EMAIL KONTAKT NË WHATSAPP

Më të lexuara

Lajme të ngjajshme
Related

Deputeti zvicëran Arbër Bullakaj: Votoni kundër iniciativës “Zvicra me 10 milionë banorë”

Arber Bullakaj, Deputet në Kuvendin e Zvicrës, nga radhët...

Migracioni është fenomen normal dhe motor i zhvillimeve në Zvicër

Bernë, 2026 – Debati rreth iniciativës së SVP-së «Jo...

Arbër Bullakaj merr detyrën në Këshillin Kombëtar të Zvicrës

Gjashtë anëtarë të rinj të Këshillit Kombëtar morën detyrën...

Shkaqet shëndetësore ndikuan në moderimin e gazetarit Kushtrim Sadiku

Gazetari Kushtrim Sadiku, i kërkon falje publikut për paraqitjen...