18:29:41 2018-01-04
Një dentist nga Tajvani është dashur t`i paguajë nënës së vet rreth 620 mijë euro, si kompensim për faktin që e ka rritur. Gjykata më e lartë e vendit ka sjellur vendim se tajvanezi 41-vjeçar Chu është dashur t`i përmbahet marrëveshjes përkatëse, të cilën para 20 vitesh e kishte nënshkruar me t`ëmën.
Nëna e tij me emrin Lo, në vitin 1990 u nda nga bashkëshorti i saj, duke i rritur e vetmuar dy djemtë e saj. Nga brenga se ata nuk do të mund të përkujdeseshin në këtë moshë për vetveten, ajo bëri një marrëveshje me ta, në kohën kur ata ishin rreth të njëzetave, Në marrëveshje është cekur se që të dy djemtë do të duhet t`i paguajnë nënës nga 60 për qind të fitimit neto të tyre.
Nëna i kishte akuzuar djemtë se e kishin injoruar, shkruajnë mediat e huaja, përcjellë Shtegu.com. Bile, mikeshat e djemve e kishin kërcënuar përmes letrave të avokatëve, që të mos i „ngarkojë“ djemtë e saj.
Përderisa djali më i moshuar i ka paguar rreth pesë milionë dollarë tajvanezë (rreth 140.000 euro), për të mbyllur rastin, djali më i vogël lëndën e ka dërguar në Gjykatë. Ai e ka akuzuar nënën se rritja e një fëmije nuk duhet mbështetur në çështje financiare.
Pasi instancat e ulta i kanë dhënë të drejtë djalit, nëna e ka dërguar rastin në Gjykatën më të lartë. Ajo ka vlerësuar se marrëveshja është ende e vlefshme, pasi në momentin e nënshkrimit Chu ka qenë i rritur. Si një dentist i suksesshëm, ai gjithashtu ka mjete të mjaftueshme për ta kompensuar t`ëmën.
Në Tajvan, kohëve të fundit gjithnjë është duke u tematizuar injorimi i njerëzve më të moshuar. Kohëve të fundit ka pasur kërkesa që të rriturit të dënohen me burg, në rast se nuk përkujdesen për prindërit e tyre të moshuar. (Shtegu.com)

