Dënim prej 12 vitesh për baronin shqiptar të drogës
12:23:24 2016-07-09
Gjykata e krimeve e Lucernit në Zvicër, ka dënuar një shqiptar 36-vjeçar me 12 vite burg, për shkak të trafikimit të lëndëve narkotike. Për nëntë muaj me radhë, në Zvicër ai ka sjellë 22 kilogramë kokain.
Sipas një vendimi të shpallur gjatë të enjtes, bëhet fjalë për një rast shumë të rëndë. Gjykata e dënoi shqiptarin për shkak të veprave të shumta të trafikimit të lëndëve narkotike, qëndrimit ilegal në Zvicër dhe posedimit ilegal të armëve. Vendimi ende nuk është i plotfuqishëm.
Prokuroria e ka akuzuar shqiptarin, se në periudhën nga vjeshta e 2011-ës e deri në gusht të 2012, në Zvicër ka sjellur 22 kilogramë kokain, të cilën ua ka shitë trafikantëve të tjerë. Shqiptari ka qenë pjesë e kierarkisë më të lartë të grupit të trafikantëve të lëndëve narkotike, shkruan „20 Minuten“, njofton „Shtegu.com“.
Bosi i drogës ka vepruar në qytetin Kriens afër Lucernit, por ka qenë aktiv edhe në St. Gallen dhe Cyrih. Prokuroria e kishte vëzhguar atë në muajin shkurt 2012, ndërsa i kishte përgjuar edhe telefonatat e tij, duke e filmuar ngjarjen. Në vjeshtë të 2012-ës, ai udhëton jashtë Zvicrës. Në fillim të 2013-ës, arrestohet në Padovë të Italisë dhe ekstradiohet në Zvicër. Tash e tre vite e gjysmë, ai është duke qëndruar në burg.
Sipas Prokurorisë, ai ka qëndruar ilegalisht në Zvicër dhe ka poseduar një pistoletë. Edhe jashtë Zvicrës, ka qenë i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe trafikim të qenieve njerëzore.
Prokuroria ka kërkuar një dënim prej katëmbëdhjetë vite burg, pasi edhe bashkëpunëtorët e tij e kishin ngarkuar me akuza. Por, më vonë, ata i kanë tëhequr akuzat.
Para Gjykatës, shqiptari ka kërkuar lirimin e tij nga akuza. Ai kishte deklaruar se ka qenë i zhytur në borxhe dhe se në Zvicër kishte ardhur për t`i shlyer ato, duke punuar dhe për të mundur ta shlyejë interesin e lartë të huadhënësve të tij, të gatshëm për dhunë.
Në lidhje me këtë rast, janë zhvilluar edhe hetime të tjera me ç`rast janë arrestuar edhe bashkëkombas të tjerë të të dënuarit. Prokuroria ka kërkuar edhe për ta dënime të larta.