Dëbimi i shqiptarit kriminel është i arsyeshëm

78 Lexime

Vendim i drejtë i Gjykatës në Strasbourg
Gjykata për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Strasbourg, e ka vërtetuar vendimin e Zvicrës: Ajo mund ta dëbojë një shqiptar të dënuar, delikuent të drogës.

Gjykata për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Strasbourg ka sjellë vendim që Zvicra mund ta dëbojë një shqiptar 53-vjeçar. Personi në fjalë, në Zvicër ka ardhur në vitin 1991, me një leje qëndrimi të përkohshme dhe në vitin 2001, për shkak të trafikimit me drogë dhe larje parashë ka qenë i dënuar me dy vite e gjysmë burg dhe dhjetë vite largim nga Zvicra. Por, deri më sot ai nuk është larguar. Vite të tëra, ai ka kaluar nëpër shumë instanca gjyqësore të përsëritura, duke bërë ankesa të ndryshme dhe momentalisht ai jeton në Gjenevë.

Gjykata e lartë zvicerane, qysh në vitin 2009 kishte vendosur që shqiptari të largohej nga Zvicra, sipas praktikës së saj konstante, me të cilën, autorët e huaj të cilët bëjnë delikte të rënda me drogë, duhet të llogarisin në dëbim nga Zvicra. Gjykatësit e Strasbourgut të cilëve iu është drejtuar shqiptari, e ndajnë po të njëjtin mendim sikurse edhe Zvicra. Edhe pse ai pas vuajtjes së dënimit me burg, është sjellë korrekt, kjo nuk u ka mjaftuar si arsye për të qëndruar në Zvicër. Edhe situata familjare nuk i shkoi përdore, shkruan „NZZ.ch“, pasi fëmijët e tij tashmë janë të rritur, ndërsa bashkëshortja, e cila më herët ishte ndarë nga ai, u natyralizua në zvicerane dhe në përpjekjen e saj që ta rimartojë, duke e ditur historinë kriminele të tij, nuk do të mund ta përballojë të jetojë përsëri me të në Zvicër.