Çdo ditë e më shumë vatra zjarri, çfarë po ndodh në Maqedoni?
Vatrat e zjarrit sa vijnë e shtohen në Maqedoninë e Veriut. Vetëm sot janë regjistruar tre raste të zjarreve nëpër pyjet e vendit. Që nga orët e hershme të ditës së sotme pylli mes Draçevës dhe Batincës ka marrë flakë dhe ende vazhdon të digjet.
Qytetarët vazhdojnë të publikojnë fotografi madje edhe video të zjarreve në rrjetet sociale.
Në orët e mbrëmjes ka marrë flakë një hapësirë afër Liqenit Treska dhe po vazhdon ende të digjet ndërkohë që zjarrfikësit kanë intervenuar dhe po vazhdojnë të uftojnë me flakët.
Nga ana tjetër, tre automjete kundër zjarrit me nëntë zjarrfikës janë dërguar në afërsi të fshatit Viniçe që ta shuajnë zjarrin në Malin e Zi të Shkupit, konfirmoi për MIA-n shëfi i Brigadës së zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit, Vlladimir Simonovski.
Zjarri është përhapur dhe tani flakët kanë kapluar teren të vështirë, ndërsa Simovoski tha se nësë zjarrfikësit nuk arrijnë që ta shuajnë, do të thirret në ndihmë Ushtria.
Kujtojmë se dje zjarrfikësit shuajtën zjarrin në një pyll afër fshatit Straçincë.
Ende nuk ka ndonjë reagim zyrtar për këtë situatë, nëse këto raste janë zjarrvënie e qëllimshme apo janë shkaktuar nga moti i nxehtë. /SHENJA