Bavaria edhe më tej terrorizon kosovarët me procedurat e pakuptimta byrokratike serbe
Afrim Nura
19:07:46 2016-02-27
Tim Berishaj dhe Afrim Nura kishin dërguar e-maile, peticione dhe kishin shfrytëzuar gjithë kohën e tyre të lirë tek autoritetet gjermane të shtetësisë. Tash e më se tre vite, të dy kosovarët janë duke luftuar për të fituar pasaportën gjermane. Sipas autoriteteve, ata i plotësojnë pothuajse të gjitha kushtet. Por, ekziston vetëm një problem: Në Bavari të Gjermanisë, përpos shtetësisë kosovare, ata duhet të heqin dorë edhe nga shtetësia serbe dhe kjo duket se është vështirë.
Berishaj ka lindur para 34 viteve në Nürnberg. Ai është duke banuar me bashkëshorten dhe tre fëmijët në qytetin fqinj Fürth dhe flet rrjedhshëm gjuhën gjermane. Tash e 18 vite ai është duke punuar për të njëjtin punëdhënës, ndërsa është kualifikuar deri në udhëheqës të menaxhimit të shitjes. Në shtator të vitit 2008, ai kishte parashtruar kërkesën për të marrë vërtetimin për shtetësinë serbe, një vërtetim i cili do t`i shërbente për të fituar shtetësinë gjermane.
“Mëso serbisht“, i kishin thënë përmes telefonit, kur ai kishte folur gjermanisht me bashkëpunëtorët e Konsullatës serbe. Pasi personalisht nuk kupton asnjë fjalë serbe, ai e fton nga një herë në javë babain e tij në Mynih, për tu interesuar për kërkesën. Për vërtetimin e tij nga Beogradi, ai është duke pritur edhe sot e kësaj dite.
Vetëm në Sachsen dhe Bavari duhet plotësuar këto kushte si obligim për tu natyralizuar. Në shumicën e krahinave të tjera federale gjermane, shtetësia është më pak problematike. Pas një vendimi të Gjykatës kushtetuese të Baden-Württemberg nga viti 2008, një shqiptar nga Kosova mund të natyralizohet pa dorëzuar shtetësinë paraprake. Heqja dorë nga shtetësia serbe, praktikisht nuk mund të realizohet, thuhet në vendimin në fjalë. Kosovarët në praktikë, janë të diskriminuar nga autoritete serbe, shkruan „Merkur.de“, njofton „Shtegu.com“.
Berishaj personalisht asnjëherë nuk kishte jetuar në ish Jugosllavi. Se sa vështirë është për te që t`i sigurojë dokumentet e nevojshme nga autoritetet serbe, është i vetëdijshëm edhe ai. “Edhe në Serbi ka avokatë për të drejtat e njeriut të cilët janë të specializuar në këtë drejtim“, spjegon Berishaj. Për të hequr dorë nga shtetsia serbe, duhet paguar rreth 1.000 euro për ndërmjetësuesit. Kësaj duhet shtuar edhe shpenzimet prej 255 euro për shtetësinë gjermane.
Që nga viti 2008, Kosova është e ndarë nga Serbia – përpos Gjermanisë, në ndërkohë ate e kanë njohur edhe 80 shtete të tjerë, vazhdon „Merkur.de“ (Kosova është e njohur nga 110 shtete, V.J.). Për këtë, shumica e kosovarëve aspak nuk e ndjejnë veten si shtetas serbë, edhe pse juridkisht u takojnë të dy shteteve. “Unë nuk e ndjej veten si serb dhe as që kam jetuar ndonjëherë në Serbi“, pohon Nura. Kosovari 43-vjeçar në Gjermani kishte ardhur para 20 viteve si student dhe tashmë është i punësuar në një bankë gjermane si këshilltar për investime. “Është e paarsyeshme dhe poshtëruese që tu biem në gjunj ish kundërshtarëve të luftës, për të hequr dorë nga shtetësia serbe“, deklaron ai.
Në këtë drejtim, 20.000 kosovarët që jetojnë në Bavari, para pak kohësh përkrahje kanë marrë nga opozita. Në nëntor të vitit të kaluar, partitë e CDU-së dhe SPD, në Parlament kishin parashtruar një mocion për të lehtësuar shtetësinë e kosovarëve. Por, CSU dhe FDP e kishin kundërshtuar një gjë të tillë. “Ky byrokratizim është absurd“, kishte deklaruar deputetja nga radhët e SPD-së, Isabell Zacharias.
Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme bavareze ka konfirmuar faktin se në periudhën prej 2004-2010, 1.600 kosovarë kishin hequr dorë nga shtetësia serbe. Viteve në vazhdim, shifrat ishin rritur dukshëm. Në vitin 2010, sipas Ministrisë, 248 nga gjithsej 12.021 personave të natyralizuar kanë qenë nga Kosova.
Tim Berishaj dhe Afrim Nura janë viktima në zënkën për shtetësinë e dyfishtë dhe pajisjen me pasaporta gjermane. Ata mund të vendosin nëse do të zhvendosen me familjet e veta në ndonjë krahinë tjetër federale, për të përshpejtuar procesin. Por, një gjë është e sigurt: Do të kalojë edhe shumë kohë përderisa ata të pjisen me pasaporta gjermane.