Banka gjermane dëbon një myslimane me vello
20:33:45 2016-01-15
Një zënkë në bankën „Sparkasse“ të qytetit Neuss në Gjermani, është bërë rast shqyrtimi i policsë. Një myslimane është refuzuar nga nëpunësit për tu shërbyer pasi ajo ka qenë e mbuluar me një vello. Tani ajo akuzon: Një nëpunës i bankës, gjatë zënkës ka përdorur edhe dhunë, ndërsa banka mohon një gjë të tillë.
Me sa duket, një myslimane është refuzuar të shërbehet në një filial të bankës „Sparkasse“ në Neuss, pasi ajo ka qenë e mbuluar me vello, shkruan „Neuss-Grevenbroicher Zeitung“, njofton „Shtegu.com“. Gruaja kishte hyrë në bankë për të bërë një transaksion të hollash, por një nëpunës i bankës i kishte dalur përpara duke kërkuar që ajo të largohej nga lokali.
Nëpunësi 20-vjeçar e kishte lutur myslimanen që të hiqte vellon dhe të identifikohej. Gjatë kësaj është shkaktuar një zënkë e zhurmshme verbale. Gruaja gazetës në fjalë i kishte deklaruar se ajo ishte shtyrë nga nëpunësi i bankës, duke pësuar gjatë kësaj ngulfatje nga një valixhe që e kishte mbajtur mbi supe.
Pasi kishte arritur policia për të përfunduar zënkën, gruaja myslimane tashmë ishte larguar nga banka. Pas pak kohe, ajo kishte parashtruar aktpadi penale ndaj bankës për shkak të lëndimeve trupore.
Banka në fjalë e ka mohuar rrjedhën e ngjarjes. „Për ne është me rëndësi se nuk bëhet fjalë për religjion, por për siguri“, ka deklaruar Stephan Meiser, zëdhënës i bankës „Sparkasse“ në Neuss. Sipas tij, gruaja ishte sjellur në mënyrë „miqësore“ ndaj ndalesës së fshehjes së identitetit, që është vendosur në një pllakatë në hyrje të bankës, e pasqyruar me një helmetë motoçikletash.
Propozimi i gruas që të shoqërohet në një lokal tjetër të veçantë, që të heqë vellon dhe të identifikohet, i ishte refuzuar nga personeli. Me këtë rast, Meiser arsyetohet: „Askush nuk dëshiron të ecë nëpër korridor, apo të qëndrojë në një dhomë me një të panjohur“.
Gruaja myslimane dhe bashkëshorti i saj janë zemëruar në masë të madhe. Gruaja është ende e shqetësuar, ka deklaruar burri për gazetën në fjalë. Që të dy janë nga një familje me prejardhje turke, janë lindur në Gjermani dhe tashmë shumë vite kanë qenë klientë të rregullt të kësaj banke.