Babai i Damienit të ngrirë: Isha betuar se asnjëherë më nuk do të varrosë një fëmijë timin
11:43:53 2017-12-28
Zvicerani 24-vjeçar, Damien D. të martën është gjetur i vdekur në Vétroz të Kantonit Valis në Zvicër. Ai ishte ngrirë, pasi e kishin hedhur jashtë nga klubi, pas një feste të firmës.
Është dashur të jetë një mbrëmje e harreshme me kolegët. Por, Damieni 24-vjeçar u zhdukë pas festës së firmës më 20 dhjetor të këtij viti, pa asnjë gjurmë. Gjashtë ditë pas zhdukjes së tij, djaloshi ri u gjet të martën nga një kalimtar, i ngrirë nga i ftohti.
Pas përfundimit të festës së firmës me punë shpimi, për të cilën Damieni punonte, ai dhe kolegët e tij vendosën që ta vazhdojnë festën në një klub në Vétroz. Atje, rreth orës 22.00 djaloshi dëbohet jashtë nga lokali i veshur vetëm me një fanellë të hollë. Me sa duket, djaloshi nuk kishte më para për ta vazhduar festën, ndërsa termometri kishte zbritur në minus tre gradë.
Mohammet Ezbay është personi i fundit që e ka parë Damienin të gjallë. Ai është shitës i qebapave ballëpërballë klubit: „Damieni kishte të veshur vetëm një fanellë të hollë dhe tek unë e bleu një sanduiç. Në të vërtetë ai nuk kishte më të holla, por unë i thashë se ushqimin mund ta paguajë ndonjë ditë tjetër“, ka rrëfyer ngjarjen shitësi për „Le Nouvelliste“, përcjellë Shtegu.com.
Në atë moment, Damieni nuk ka qenë i vetmuar: „Pasi e bleu sanduiçin, ai ishte i shoqëruar nga një person tjetër. Një mik i mirë nuk të lë vetëm në të ftohtë. Nuk po mund ta kuptoj se si mund të ndodhë një gjë e tillë“, pohon Ezbay.
Edhe babai i Damienit nuk mund ta kuptojë se si ka mundur të ndodhë një rast i tillë: „Me 24 vite njeriu mund të vdesë nga ndonjë aksident, nga ndonjë sëmundje, por jo nga i ftohti! Nuk mund ta pranoj këtë fakt“, ka deklaruar babai.
Damienin e kanë kërkuar gjashtë ditë me radhë pandërprerë: Me grup kërkimi, një helikopter, kamera me rreze infra të kuqe dhe qenë. Si duket, ai e ka humbur orientimin dhe është nisur në drejtim të Sionit.
Një qen i një kalimtari e kishte gjetur trupin e pajetë të Damienit, gjashtë ditë pas zhdukjes së tij në një pemishte: „Gjithkund kemi kërkuar, vetëm atje jo. Damieni është djali i dytë që po e humbi. Isha betuar se asnjëherë më nuk do të varrosë një fëmijë timin“, përfundon babai i pikëlluar. (Shtegu.com)