Avokati gjerman angazhohet për kthimin e familjes së dëbuar kosovare në Gjermani
13:33:19 2018-01-12
Një nënë kosovare ishte arratisur nga Kosova për në Gjermani, së bashku me tre fëmijët e saj, për shkak të dhunës permanente nga bashkëshorti në Kosovë. Pasi kanë bërë përpjekje për vetëvrasje, ata tani do të ndihmohen.
Gjatë vjeshtës së kaluar, një familje kosovare ka tentuar të vetëvritet pas dëshpërimit që autoritetet gjermane e kanë dëbuar në Kosovë. Tani, avokati i së drejtës gjermane Eberhard Bofinger ka deklaruar se është duke përgatitur ankesë përkatëse për familjen. Kjo ankesë pritet të parashtrohet më së voni nga fillimi i javës së ardhshme. Ai ende nuk mund ta kuptojë përse autoritetet e kanë realizuar dëbimin me kaq ashpërsi.
Bëhet fjalë për nënën Xhevrije R., e cila me tre fëmijët e saj kishte ardhur nga Kosova në Gjermani. Ajo nuk ishte arratisur për shkaqe politke, por për dhunën e ushtruar ndaj saj nga ana e bashkëshortit. Sipas të dhënave të Këshillit për refugjatë të Augsburgut, një shoqatë e mbështetësve të azilkërkuesve vullnetarë, nëna dhe tre fëmijët e saj kanë qenë të nënshtruar një dhune ekstreme familjare. Por, dhuna familjare nuk është arsye për azil. Për këtë arsye, autoritetet gjermane ia refuzuan kërkesën dhe u përkujdesën për ta dëbuar. Përgjegjës për dëbimin e familjes ka qenë këshilli qeveritar i Schwaben.
Atje rasti llogaritet si i kryer, ndërsa minsitri bavarez raporton edhe për një sukses pas realizimit të dëbimit të katër rasteve tjerë. Nga ana tjetër, avokati gjerman Eberhardt Bofinger pohon se bëhet fjalë për „rast të rëndë“ dhe familja nuk ka guxuar të dëbohet, përcjellë Shtegu.com. Sipas Këshillit për refugjatë të Augsburgut, nëna dhe fëmijët janë duke vuajtur nga një ngarkesë e madhe psikike. Raportet mjekësore kanë dëshmuar për sëmundje të rënda psikike, në mesin e të cilave edhe depresione dhe psikoza. Posaçërisht e prekur në këtë rast është vajza e madhe, Elbasana D., 27-vjeçare. Në Gjermani ajo ka bërë tashmë një përpjekje për vetëvrasje dhe për këtë arsye ka qëndruar disa muaj në spitalin rajonal.
Më 10 tetor të vitit të kaluar, Elbasana D. ishte dëbuar e vetme nga autoritetet gjermane. Dhjetë ditë më vonë në Kosovë u dëbuan edhe nëna Xhevrije R. dhe dy djemtë Muhameti 27-, dhe Migjeni 14-vjeçar. Migjeni ka qenë duke vijuar mësimin në Augsburg. Ai ka qenë mirë i integruar në shkollë, bile ka ndërmjetësuar në zënkat midis nxënësve, thuhet në një letër të shkruar nga një mësuese.
Familja është dëbuar duke u bazuar në një raport në të cilin thuhet se gjendja e tyre shëndetësore ua mundëson udhëtimin në Kosovë. Por, në kërtë raport parashtrohet pyetja nëse ajo është e aftë për jetë, duke marrë parasysh problemet e shumta.
Pak pas kthimit në Kosovë, nëna dhe dy fëmijët e rritur kanë marrë doza të tepruara të tabletave për të bërë vetëvrasje. Për këtë arsye, ata janë trajtuar në një klinikë në Gjakovë. Në ndërkohë, të gjithë kanë dalë nga spitali dhe janë strehuar përkohësisht tek të afërmit e tyre. Megjithatë, situata e tyre psikike nuk ka ndryshuar, të cilën e konfirmon edhe avokati Eberhard Bofinger, duke u bazuar në rezultatet gjatë daljes nga klinika.
Autoritetet gjermane e dëbuan familjen edhe për shkak se përkujdesja mjekësore ndaj të sëmurëve në Kosovë është vlerësuar si e mirë. Avokati gjerman një gjë të tillë e llogaritë si vlerësim të gabuar Ai është i bindur se kthimi i nënës me fëmijë në Gjermani do të realizohet. (Shtegu.com)