Arrestohet gjermani që kishte paguar për vrasjen e shtetasit maqedonas
22:30:59 2016-06-02
Zyrtarët e komisionit gjerman për krime të rënda (LKA 41) dhe Prokuroria e Hamburgut, kanë arritur të ndriçojnë një përpjekje për vrasje të vitit 2014. I dyshuari kryesor, supozohet se së bashku me t`ëmën ka organizuar një vrasje. Të enjten (sot) janë ngritur kallëzime penale ndaj nënës e djalit të saj dhe që të dy gjenden në paraburgim.
Në maj të vitit 2014, një vozitës 61-vjeçar taksish, paprtimas ishte sulmuar me thikë nga një udhëtar. Autori e kishte therë së paku 25 herë, duke i shkaktuar plagë të rënda. Komisioni gjerman për krime të rënda (LKA 41) dhe Prokuroria e Hamburgut kishin hetuar pandërprerë për të ndriçuar rastin, ndërsa në muajin maj të vitit të kaluar, rasti ishte paraqitur edhe në emisionin e njohur televiziv „Aktenzeichen XY“. Pas transmetimit të këtij emisioni, shikuesit ishin paraqitur duke drejtuar gishtin nga një shtetas gjerman 32-vjeçar, si autor të dyshuar.
Rasti i dytë kishte ndodhur më 16 shkurt të këtij viti, me ç`rast ishte shkaktuar një zënkë fizike në mes të të dyshuarit dhe një shtetasi 23-vjeçar maqedonas. I dyshuari i vrasjes së vozitësit në tentativë, gjatë zënkës kishte pësuar lëndime të rënda në fytyrë, duke humbur njërin sy, ndërsa tjetri i ishte dobësuar dukshëm, shkruan „Focus“, njofton „Shtegu.com“. Arsyeja e zënkës kishte qenë lidhja e shtetasit maqedonas me motrën e tij. Pas kësaj, ai dhe e ëma e tij kishin vendosur që ta vrasin shtetasin maqedonas. Ata kontaktuan një vrasës me pagesë, duke deponuar shumën prej 5.000 eurosh.
Hetimet e mëtejme për ndriçimin e rastit janë në rrjedhë e sipër.