Arrestohen dy persona të dyshuar për trafikim të nëntë shqiptarëve
09:54:50 2019-06-18
Dy persona të dyshuar për trafikim të qenieve njerëzore janë arrestuar në një varkë të prishur, natën e së premtes pranë brigjeve belge në Ostend. Prokuroria konfirmoi se në bord ishin nëntë shtetas shqiptarë, rrugës për në Britani të Madhe.
Gjykatësi hetues urdhëroi arrestimin e dy personave të dyshuar për trafikim të qenieve njerëzore, shkruan „7 sur 7“, përcjell Shtegu.com. „Është shfrytëzuar situata e pasigurt e viktimave dhe është rrezikuar jeta e tyre“, ka deklaruar Frank Demeester nga Prokuroria e Fiandrisë Perëndimore, seksioni i Bruges. Tashmë do të hapet një hetim për të zbuluar organizatën kriminale.
Mbrëmjen e së premtes, rojet bregdetare belge kishin pranuar një thirrje për ndihmë, nga një varkë me vela për një prishje të motorit pranë Ostendit. Një anije shpëtimi dhe policia detare menjëherë kanë shkuar në vendngjarje. Ata kanë hasur në nëntë persona në bord, duke deklaruar se ishin me origjinë shqiptare.
Prokuroria supozon se udhëtarët po shkonin në Britani të Madhe. Është gjithnjë e më e zakonshme që transportuesit në këtë mënyrë të arrijnë në Britani të Madhe.