Apel për ndihmë: Çifti nga Çairi i Shkupit jeton në park (VIDEO)
19:19:30 2016-02-20
Pothuajse çdo cep i parkut të Çairit është shndërruar në shtëpi dhe shtrat për çiftin bashkëshortor Ibe dhe Servet Beqiri nga Shkupi. Ata janë të moshës 54 vjeçare dhe fatkeqësisht janë detyruar të flenë edhe në rrugë. Thonë se pronari i banesës ku jetojnë me qira i kishte larguar për shkak se e kishte shitur banesën. E vetmja gjë që kanë janë këto dy kartonë që mbajnë në duar të cilët i përdorin si shtrat për të fjetur. Të mërzitur e të pikëlluar nga vuajtjet që po përballen çdo ditë ata apelojnë gjithë njerëzit bamirës për t’ju ndihmuar në sigurimin e një dhome .
“Në tokë do të flej askujt asgjë nuk i kërkoj, pa bukë do të qëndroj, vetëm një dhomë ta kem mos të na zë shiu e era jashtë, për këtë kam nevojë, nuk dua asgjë më shumë, edhe fëmiun e harrova, krejt i harrova veç një shtëpi ta kam, tjetër gjë asgjë nuk dua. Këtu jashtë, kemi flejt një natë atje, na kishte zënë gjumi, ka ora 3 e mëngjesit na doli gjumi nga ulërima e qenve, jemi zgjuar ngadalë mos të na dëgjoj askush”, tha Ibe Beqiri.
Servet Beqiri rrëfen se shumë herë ka konkurruar për banesë sociale por nuk kishin fatin ta fitojnë një të tillë.
“Tre katër herë ka pas konkurse për banesa sociale, çdo herë më kanë refuzuar. Jam tu kërkuar, ku të gjej diku, shumë shtrenjtë, 150-200 euro qiraja, nuk po arrin shumë keq. Shpresoj, besoj që ka ndonjë dashamir, ka njerëz të mirë, nuk besoj që nuk ka, me ma zgjat dorën, ta siguroj një kulm mbi kokë. Punë me gjet edhe më mirë bëhet. Nëpër Çair, në çarshi dal shohë a ka diçka, ndonjë ngarkim ose shkarkim. Nëse të ofrohet ndonjë punë a je i gatshëm të punosh? Po, në çdo moment bile, sa jam mirë me shëndet”, tha Servet Beqiri.
Ajo që e bën edhe me tragjike këtë rast janë sëmundjet e shumta që kanë prekur zonjën Ibe Beqiri, një prej tyre epilepsia. Për shkak të varfërisë ajo shumë herë ka ngelur edhe pa terapi.
“E sëmurë jam, burri del e kërkon punë, kur nuk ka kthehet në shtëpi, çka me bë, ku të shkojmë. Epilepasinë e kam qe 20 vjet, duhen tableta mezi që po i blej, aty këtu po marr borxh, at borxhin duhet me kthy, kërkosh nuk ti fal”, shprehet Ibe Beqiri.
Çifti bashkëshortor Beqiri vazhdimisht kanë jetuar me qira dhe varfëri. Fatkeqësisht ata nuk kanë as fëmijë. Ata i lamë në park duke kërkuar një vend për të kaluar natën. (LAJM)
Melihate Rustemi
Të interesuarit që dëshirojnë të ndihmojnë këtë familje mund të kontaktojnë në numrin e telefonit:
+389 76 588 271
Servet Beqiri, lagjja Çair, Shkup