Analistët për Zhurnal: Që shqiptarët të dalin sa më shumë në zgjedhje duhet që partitë t’iu shmangen presioneve nga militantët partiakë

45 Lexime

12:25:08           2016-02-11

 

 

 

Partitë politike shqiptare në Maqedoni duhet të ndryshojnë politikëbërjen e tyre me qëllim që përmes ofertës të motivojnë qytetarët shqiptar të dalin sa më masovikishtë në zgjedhje. Drejtori i Institutit IHPQM Bashkim Bakiu shprehet se partite shqiptare perfundimishte duhet që në listat për deputet të vendosin njerëz cilësorë të cilët do të ishin të dobishëm për popullatën.

“Dalja e shqiptarëve në zgjedhje lidhet ngushtë me numrin e deputetëve, por kjo nuk garanton edhe politikëbërjen efikase dhe të përgjegjëshme, së paku kështu është dëshmuar në këto vitet e tranzicionit. Partitë politike duhet të ndryshojnë në 360 shkallë për të qenë atraktive ndaj elektoratit duke ofruar lista me kuadër cilësorë. Në mungesë të listave të hapura, partitë duhet të shpangen presionit militantist (mos të pranojnë propozime vetëm nga militantët partiak por edhe nga shtresa më e gjerë duke mundësuar që votuesi të mund të gjejë veten në propozime të ndryshme“, shprehet për Zhurnal Bakiu.

Nga përvoja e deritanishme duket se partitë nëpër lista vendosin kryesisht kandidat që janë të “fortë“ ose të afërt me liderët e partive të tyre e duke mos u bazuar në atë që të tërheqin elektoratin nga masa të ndryshme të popullatës që secili të gjejë veten diku. “Praktika e deritanishme tregon se partitë politike pranojnë propozime nga nëndegët dhe degët që jo secilën herë kanë dëshmuar se kanë sjellë kandidat cilësorë. Në mungesë të demokracisë tek partitë politike mund të ndodh që i forti apo ai që është afër liderit apo grupe të ndryshme në kuadër të partive të kenë ndikim në përpilimin e listave. Më tutje kjo mund mos të jetë atraktive për votuesin që nuk kanë lidhje direkte me partitë apo janë vetëm votues të papërcaktuar të cilët vendosin në bazë të ofertës në lista. Në këtë formë mund të motivohet dalja në zgjedhje“, thekson më tej Bakiu.

Nga ana tjetër kryeredaktori i gazetës ‚Lajm‘ Isen Saliu mendon se dëshprimi tek popullata shqiptare është e madhe andaj në cdo cikël zgjedhor jehona zvoglohet. Dëshrprimi sipas tij është se partitë shqiptare nuk ofrojnë oferta të reja.

“Shkak për mosinteresimin e shqiptarëve për të dalë në zgjedhje është mungesa e ofertave dhe ideve të reja si dhe mosrealizimi i premtimeve dhe obligimeve që datojnë prej më herët.  Mendoj se subjektet që kanë për qëllim të blejnë votën e shqiptarëve, do të vazhdojnë të punojnë që sa më pak shqiptarë të dalin në zgjedhje, sepse sa më pak vota do të kenë nevojë të blejnë dhe rrjedhimisht më pak do të ju kushtojnë mandatet e deputetëve. Këtu është sfida kryesore e subjekteve të reja që paraqiten për herë të parë në zgjedhje. Të paraqiten me ide që do të mobilizojnë sa më shumë shqiptarë për të dalë në zgjedhje dhe në këtë mënyrë blerja e votës shqiptare të bëhet një mision i pamundur“, tregon për Zhurnal, Isen Saliu. (Zhurnal.mk)