A i keni provuar akulloret e Sherifit nga Vjena ?

77 Lexime

 

Shqiptari nga Gostivari , Sherif Bislimi për 30 vite me rradhe është shitës akulloresh në pikën më turistike të Vjenës pranë katedrales së famshme të Stefansdomit, që është pika më turistike në Vjenë, e cila vizitohet nga turistë të shumtë nga e gjithë bota, informon Diktafoni, transmeton Revista Porta.

Mes mijëra turistëve aty punojnë dhjetëra studentë shqiptarë të cilët shesin bileta koncertesh ndërsa në qendër të sheshit, Sherif Bislimi 54 vjeçar nga Gostivari, u shet turistëve akullore.

Në një makinë me rrota gjenden mbi 20 lloje akulloresh të përgatitura nga familja Bislimi nga Gostivari e cila punon dhe vepron në Vjenë të Austrisë.

Në këto temperatura të larta, radha e turistëve bëhet e gjatë, ndërsa Sherif Bislimi, shet akullore duke i folur brenda 20 minutave, 5 gjuhë të ndryshme.

Ishte një gjuhë e çuditshme dhe sigurisht që pyeta „E tash çfarë gjuhë është kjo“. Ai duke qeshur tha “Kinezisht”.

“I flas të gjitha gjuhët ngapak”, thotë ai me modesti. Mirëpo tek sa e dëgjon e kupton se ai flet shumë më shumë se sa “ngapak”.

“Turistët mendojnë që jam italian.. edhe italianët mendojnë që jam italian” thotë ai .

Sherifi këtë punë e bënë gati 30 vjet ndërsa para tij të njëjtën punë e bënte i ati I tij i cili nga viti 1971 e nisi këtë biznes familjar.

“Mu në këtë vend, unë jam tashmë 30 vite. Studentët shqiptarë që shesin bileta i kam pritë dhe përcjell shumë gjenerata. Ata shesin bileta, përfundojnë studimet, vijnë të tjerë. Edhe një politikan në Kosovë, Blerim Rexha, ka shitur këtu bileta, por ata vazhdojnë” rrëfen ai.

Po, si ndjehesh pranë Stefansdomit? A të pëlqen ende kjo ndërtesë që tërheq kaq shumë turistë?

Ai duke qeshë vazhdon: “Katedralen a? S’du ta shoh ma. Që 30 vite tu e pa çdo ditë”.

Babai i Sherifit tash është 85 vjeçar ende është udhëheqësi i biznesit. Para Vjenës ai ka punuar me akullore në Bratislavë.

“Kur kanë hy rusët në Bratislavë, në vitin 1968, ai iki në Vjenë”, thotë Sherifi, i cili bashkë më vëllain e tij, punojnë dy ndërrimet, nga ora 10 ne mëngjes e deri afër mesnatës.

Ata e posedojnë edhe një ëmbëltore në një lagje të Vjenës por fitimet kryesore i kanë nga karroca që gjendet në Stefansplatz.

Recetat për akullore babai i ka mësuar nga një italiane ndërsa prej atëherë asgjë s’ka ndryshuar përveç shijeve të reja që janë shtuar.

Këtë biznes familjarë Sherifi thotë se do ta ketë të vështirë ta vazhdojnë fëmijët e tij.

“Kjo është punë e vështirë. Gjithë ditën në këmbë. Fëmijët e mijë janë të orientuar në drejtime tjera. Mirëpo jetës nuk i dihet” thotë ai.

Licenca për të punuar në këtë zonë është siguruar nga babai i tyre dhe ata janë të vetmit që punojnë në këtë shesh. Sigurisht ka pas përpjekje të vazhdueshme të shitësve tjerë ambulant mirëpo kjo është e rregulluar mirë me ligje dhe ata mbeten të vetmit ende.

E nëse jeni në Vjenë, kur arrini te Stefansdomi, ndaluni për një akullore tek vëllezërit Bislimi, përveç akullores së shijshme, ju edhe do të kaloni mirë.