12:12:39 2016-09-25
Një azilkërkues shqiptar nga Lugina e Preshevës, të enjten është dënuar me katër vite e gjysmë burg, për veprën penale „vrasje në tentativë“.
Personi i ri,të cilin gazetat zvicerane e pagëzuan me emrin Liridon, të enjten është paraqitur para Gjykatës së rrethit në Aarau (AG). Para trupit gjykues ai ka paraqitur versionin e tij të vetëmbrojtjes, gjatë ngjarjes së 5 shtatorit të vitit të kaluar. Asaj mbrëmjeje, shqiptari 19-vjeçar ka lënduar dy persona në një afat kohor prej disa orësh, raporton „Aargauer Zeitung“, njofton „Shtegu.com“.
Rasti i parë kishte ndodhur rreth orës 01.00, në pjesën e vjetër të qytetit Aarau, ndërsa i dyti në rrugën „Bahnhofstrasse“. Sipas akuzës, i akuzuari e kishte sulmuar viktimën me një shkop të cilin e kishte gjetur në brigjet e lumit Aare. Edhe viktimën e dytë e kishte goditur me shkop, e më pas edhe me një shufër metalike. Viktima ka qenë një boshnjak i moshës 37-vjeçare, i cili kishte pësuar disa fraktura në krahë, trauma në kokë si dhe plagë të tjera, të cilat i ishin shkaktuar gjatë godtijes në kokë, kështu që me peshën e tij prej 100 kilogramësh, e kishte humbur vetëdijen duke u përplasur përtokë. Liridoni i akuzuar dhe një shqiptar tjetër 28-vjeçar, u arrestuan natën e njëjtë.
Gjatë seancës gjyqësore nuk u qartësuan gjërat se si ka ndodhur rasti, pasi asaj mbrëmje të gjithë pjesëmarrësit kanë qenë të dehur. Liridoni gjithashtu kishte konsumuar kokain dhe kanabis, ndërsa në pyetjen e gjykatësit, ai kishte pranuar se e ka goditur boshnjakun me një shufër metalike, pasi ishte ndjerë i kërcënuar.
Fillimisht, prokurori kishte kërkuar dënim me burg për Liridonin në kohëzgjatje prej gjashtë vitesh. Boshnjaku, një sipërmarrës i vogël por i suksesshëm, i cili katër muaj ishte i paaftë për punë, ka qenë i mbrojtur nga avokati i cili ka kërkuar dëmshpërblim në një shumë prej 27.000 frangave zvicerane dhe tetë mijë franga të tjera si kompensim.
Por, Gjykata vendosi ndryshe, duke dënuar Liridonin me katër vite e gjysmë burg për „vrasje në tentativë“, pasi sipas dëshmitarëve, ai e kishte goditur viktimën edhe gjatë kohës sa ai ka qenë i shtrirë përtokë.
„Sulmuesit duhet të jetë e qartë se një godtije me shufër metalike në kokë, ka mundur të jetë vdekjeprurëse“, ka argumentuar vendimin e tij gjykatësi. Boshnjaku është kompenzuar me një shumë prej gjashtë mijë frangash. Pas vuajtjes së dënimit, Liridoni i cili në Zvicër jeton që nga viti 2011, rrezikohet të dëbohet në vendlindje, pasi kërkesa e tij për azil ishte refuzuar.

