Katastrofa njerëzore më e rëndë se ajo natyrore për banorët e zonave të vërshuara
01:36:09 2016-09-25
Disa banorë të lagjes Hasanbeg karshi pasojave nga vërshimet, tani po përballen edhe me përmbaruesit të cilët për shkak të borxheve, ua marrin paradhënien prej 500 euro që ua ndau shteti. Nga Oda e përmbarueseve se thonë se paratë ata mund t’i marrin sërish pasi bëhet fjalë për donacion
Zejnulla VESELI
Banorët e Hasanbegut pas katastrofës natyrore e cila ua shkatërroi tërësisht shtëpitë, tani po ballafaqohen me katastrofë njerëzore. Përmbaruesit nga xhirollogaritë e tyre po ua marrin paradhënien prej 500 eurove që shteti u ka lëshuar si ndihmë fillestare pas vërshimeve. Zekirja Jahiu, banorë i lagjes Hasanbeg, thotë pas tmerrit që e përjetoi me 6 gusht, tani po ballafaqohet me një tmerr edhe më të rëndë, pasi paratë e lëshuara nga Ministria e Financave për sanimin e dëmeve fillestare nga vërshimet, ia ka marrë përmbaruesi për borxhin e prapambetur të rrymës. “Edhe pse me vonesë gati një muaj, paratë të cilat mi kishte lëshuar shteti në xhirollogarinë time nga banka, nuk mi dhanë dhe më informuan se të gjithë shumën e paradhënies prej 30 mijë denarëve e ka marrë përmbaruesi për borxhin që kam ndaj EVN-së. Për mua ishte një tmerr edhe më i rëndë se sa kur u godita nga vërshimet më 6 gusht. Mënyra se si përmbaruesi mi ka marrë paratë aspak nuk është njerëzore”, thotë Jahiu. Me këtë problematikë përballet edhe Ruzhdi Jahiu. Ai thotë se përveç që po vonohen pagesat e paradhënies nga Qeveria, në qafë u kanë rënë përmbaruesit dhe Telekomi i Maqedonisë.
“Ende shteti nuk mi ka lëshuar 500 eurot si paradhënie për sanimin e dëmeve nga vërshimet. I kam marrë vetëm 220 euro para që mi ka lëshuar Kryqi i Kuq. Mirëpo, pra disa ditëve më erdhi fatura nga Telekomi i Maqedoni për muajin gusht. Shkova dhe u thashë se nga 6 gushti unë aspak nuk kam pasur qasje në rrjet dhe se ende askush nga Telekomi nuk ka ardhur për ta sanuar defektin. Me thanë se duhet t’ju tregojë vërtetim se shtëpia ime është dëmtuar nga vërshimet. U thashë se e keni adresën se ku banoj, ku shihet qartë se jam banorë i Hasanbegut, por ketë dëshmi ata as qe e morën parasysh. Së pari më thanë paguaje faturën, pastaj dorëzo ankesë. Pastaj, edhe shumë fqinjë të mi nuk kanë mundur t’i marrin paratë e shtetit prej 500 eurove sepse ua kanë marrë përmbaruesit”, thotë Jahiu. Zoran Petreski kryetar i Odës së Përmbaruesve të Maqedonisë (OPM) shprehet se me siguri bëhet fjalë për qytetarë të cilëve para 3 apo 6 muajve përmbaruesit ua kanë bllokuar xhiro llogaritë për borxhin që kanë ndaj subjekteve private apo institucioneve shtetërore. “Me siguri kemi të bëjmë më qytetarë të cilëve përmbaruesit ua kanë bllokuar xhiro llogaritë për borxhe të mbetura 3 apo 6 muaj më parë. Meqë këta qytetarë një kohë të gjatë nuk kanë pasur të hyra në xhirollogari për shkak se nuk kanë të ardhura si rrogë, pra janë të papunë, tani kur janë futur të holla në xhiro llogari, me automatizëm këto para i kanë tërhequr përmbaruesit. Meqë bëhet fjalë për donacione nga shteti, qytetarët duhet të shkojnë deri te përmbaruesi dhe përmbaruesi do t’ua kthen shumën e plotë të parave të paguar si paradhënie në vlerë prej 30 mijë denarëve. Gjithashtu, Oda e përmbaruesve me shkresë i ka informuar të gjithë përmbaruesit se paratë të cilat shteti do t’i paguan si donacion për banorët e përfshirë nga vërshimet në lagjen Hasanbeg dhe Stajkovcë në asnjë mënyrë nuk mund të jetë lëndë përmbarimi”, thotë Petreski. Mënyra se si përmbaruesit po ua marrin paratë banorëve të lagjes Hasanbeg, sipas Avokatit të popullit Ixhet Memeti, mund të jetë e drejtë, por nuk është humane, sepse Ligji për përmbarim parasheh që pa marrë parasysh se a janë para nga rroga apo transfere sociale, përmbaruesi ka të drejtë të tërheq vetëm një të tretën e shumës që është në xhiro llogarinë e qytetarit. “Të hyrat në xhiro llogarinë e qytetarit, si rroga apo ndihma sociale, përmbaruesi ka të drejtë të tërheq vetëm një të tretën e rrogës. Ligji parasheh këtë përkufizim me qëllim që qytetari të mos vijë në rrezik social. Për rastin konkret, kur përmbaruesit ua kanë marrë të gjitha paratë disa banorëve të lagjes Hasanbeg të prekur nga vërshimet, kjo mund të jetë e drejtë, por assesi nuk është humane. Të gjithë këto qytetarë duhet ta paraqesin rastin deri te zyra e Avokatit të popullit, dhe nëse këta të holla konsiderohen si të hyra sociale, nuk guxojnë të preken nga përmbaruesit dhe të gjithë paratë do u kthehen qytetarëve”, thotë Ixhet Memeti, Avokat i Popullit. (KOHA.MK)