10:44:45 2016-04-04
Gazetari i njohur në Radio Televizionin e Maqedonisë, edicioni në gjuhën shqipe, Shpëtim Nuredini, ka reaguar lidhur me emrin e tifozëve të ekipit futbollistik shqiptar nga Liga e parë e Maqedonisë, të cilët mbajnë emrin „Shfercerat“?! Lidhur me këtë emërtim, ai në postimin e tij në Facebook, ka shkruar:
„`Shfercerat`?! Më ra rruga nga parku dhe dëgjova brohoritjet e tifozëve, kryesisht të rinj, nën emrin „shfercerat“.
Këta të rinj, a e kanë menduar se çfarë emri mbajnë?! E para, nuk është shqip. Pse shfercera dhe jo kontrabandistë?! Dhe e dyta, pse kontrabandistë kur nuk trafikojnë asgjë, por bëjnë tifo për klubin e vet, me thirrje patriotike?!
S’e di?! Por, nuk është keq ta rishqyrtojnë çështjen e emrit.
Pse ky emër pezhorativ dhe kush ka qenë nuni?!“, përfundon shkrimin e tij gazetari në fjalë.
Për ta shqyrtuar edhe më hollësisht këtë problematikë, „Shtegu.com“ ka marrë edhe një deklaratë nga gazetari sportiv i të përditshmes shqiptare në Maqedoni, „Lajm“, Reshat Ibrahimi, njohës i shkëlqyeshëm i rrjedhave në Ligën futbollistike të Maqedonisë. Ai ndër të tjera thekson:
„Shvercer është një emër i vjetër i tifogrupit `Shvercerat` që e kanë trashëguar nga tifozët më të vjetër të klubit Shkupi, i cili në të kaluarën mbante emrin Slloga Jugomagnat. Kryesia e tifozëve e dinë më mire nëse duhet të ndryshojnë ose jo emrin, kuptohet do të ishte shumë më mirë të tingëllonte shqip. Por, ata ndoshta e kanë vështirë të marrin një hap të tillë për të ndryshuar emrin, pasi është emër që ka lënë gjurmë në futbollin vendor dhe më gjerë, dhe njihen si të tillë. Unë mendoj se pasi e kanë ndryshuar emrin e klubit nga Slloga në Shkupi, nuk do të ishte tragjike që edhe emrin e Shvercerave ta ndryshojnë. Por, është e drejtë e tyre dhe nuk dua të përzihem në cështje të brendshme të tyre. Kur kanë mundur t`ia ndryshojnë emrin klubit, një gjë të tillë mund ta bëjnë edhe për tifozerinë”.
Përndryshe, fjala „shverc“ rrjedhë nga gjermanishtja jugore „Schwärzer“ që do të thotë: Personi i cili merret me punë në të zezë (ilegalisht).



