Si e humbën shqiptarët Shkupin

Date:

 

 

14:02:39            2016-01-25

KTHIM PAS VITESH

(Ky shkrim është botuar në mediat në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëria, më 19 dhjetor 2003)

 

 

NEBI MURSELI

 

 

Kur në verën e vitit 1912 Isa Boletini me ushtrinë e tij kalon Urën e Gurit në Shkup, është shënuar një ditë kthese në historinë e shqiptarëve të këtij qyteti. Por, mjerisht, kjo ditë mbeti e harruar në kujtesën e mëvonshme kolektive të shqiptarëve, qoftë te trungu etnik, apo pjesëve të skajshme të saj, sepse shumë shpejt, me ngjyrime të gjoja politikës së njerëzve të mençur të asaj kohe, shqiptarët u desh të tërhiqen nga Shkupi.
I përfolur si qytet që ka më shumë banorë shqiptarë në botë, i përfolur si qendër e shqiptarëve, Shkupi dalëngadalë po humb këto epitete dhe shndërrohet në një qytet me dominim sllav, ashtu siç ishte më shumë se 90 vjet.
Në dallim nga e kaluara, këtë radhë, Shkupi nuk u humb nga të tjerët, por nga vetë shqiptarët. Dhjetë vjet të tëra në këtë qytet dhe rrethinë të saj janë anashkaluar shqiptarët nga vetë shqiptarët, të cilët ranë pre e projektit të ish-presidentit maqedonas Kiro Gligorov.
Tetova ishte zgjedhur si epiqendër e shqiptarëve, e veprimeve të tyre politike, kulturore, arsimore, sportive etj. Dhe, me apo pa vetëdije, shqiptarët hoqën dorë nga Shkupi, duke krijuar areal veprim etnik në këtë pjesë të Maqedonisë Perëndimore, për të cilën që herët kanë hequr dorë nomenklatura politike maqedonase.
Ideja e projektit gligorovian qe inicuar me shpalljen e njëfarë autonomie territoriale-politike për shqiptarët, që u realizua në dhjetor të vitit 1992 nëpërmjet një referendumi. Por, shumë shpejt shqiptarët nuk ishin më dakord, ngaqë Gligorovi u ofronte shqiptarëve Dibrën, Gostivarin dhe anën e malore të Tetovës. Pjesërisht shqiptarët atë kohë nuk ranë dakord. Por së shpejti u erdhi dënimi – u improvizua procesi i montuar politik – e ashtuquajtura “Afera e armëve”, që si rezultat pati ndëshkimin e pjesës së atyre që nuk u pajtuan me këtë projekt.
Vendosja e partive politike shqiptare në Tetovë ishte sinjal nga pushteti, i cili i shantazhonte që të mos kapërcejnë këndej Grupçinit (pika e paramenduar e ndarjes) dhe të mos sillen drejt Shkupit. Zaten, këtë leksion si papagaj po e përsëritin partitë shqiptare. Në fillim PPD-ja, piki në këtë projekt, më pas edhe PDSH-ja e Arbën Xhaferit së bashku me iniciativën për themelimin e një universiteti atje.
Lufta e vitit 2001 ngjalli shpresat se shqiptarët, në frymën e integrimit – rrugë e trasuar nga njerëzit që nga vokacioni janë trashëgimtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) – do të shënojë kthesë dhe Shkupi do të kthehet në qendër të shqiptarëve të Maqedonisë. Por, bartja fiktive në Shkup e njerëzve të parë të luftës, të rreshtuar në Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) dhe mosarritja për t’u “ngujuar” në kryeqytetin e Maqedonisë, gjason të jetë shkuarje pas binarëve të njëjta – projektit gligorovian.
Zaten, s’ka ndryshe si të shpjegohet mosardhja e Ali Ahmetit në Shkup, ku më lehtë dhe më mirë do t’iu ikte “nënkëmbëzave” që po i bëhen dita-ditës. Vendosja e tij në Reçicë të Vogël të Tetovës tani, nëse shikohet me dioptri të shtrembëruar, lë imazhin se edhe kjo nomenklaturë politike shqiptare tjetërsoi shqiptarët e Shkupit, të cilët me ndarjen e re territoriale, që është propozuar nga koalicioni qeverisës ku bën pjesë edhe partia e Ahmetit, janë më pak se 20 për qind.
Pranimi i BDI-së që Shkupi të ketë ndarje të tillë territoriale, që duke lexuar Marrëveshjen e Ohrit, ku shqiptarët mbesin pakicë pa të drejta në gjuhë, është ideal i keq politik, ngase margjinalizohet qendra e vendosjes.
Njeriu i dytë i BDI-së, Musa Xhaferi, del haptas dhe thotë se Shkupi do të jetë kryeqytet me dygjuhësi, ndërsa ministri i Pushtetit Lokal, Aleksandar Geshtakovski thotë se nuk bëhet fjalë për dygjuhësi, atëherë diçka nuk është në rregull. Në të gjitha këto dualizma, një është e sigurt – në mënyrë automatike, shkelet pika 2 e nenit 7 të Kushtetutës së Maqedonisë, që u ndryshua me luftë, ku thuhet se “përpos maqedonishtes, edhe ajo gjuhë që e flasin më shumë se 20 për qind e ndonjërës bashkësi etnike është gjuhë zyrtare”. Me këtë sforcohet pohimi se politikanët shqiptarë edhe një herë u veshën në gëzhojën e politikës destruktive për vetë shqiptarët.
Regjistrimi i fundit i popullsisë, ku shqiptarët përfaqësohet me mbi 25 për qind në shtet, me të gjitha anomalitë dhe “pazarin” e tejdukshëm politik, nuk u arrit të kapitalizohet me kombinimin fitues. Sendin më të vogël që duhej ta bënte partia shqiptare në pushtet ishte këmbëngulja që në Shkup të flitej shqip, të kishte mbishkrime në shqip.
Ndarja e tanishme e Shkupit, i vë shqiptarët në pozitë të njëjtë me romët, sepse do të jenë të getoizuar në anën e majtë të rrjedhës së Vardarit, me ingjerenca të vogla për dy komuna që shumicën do të kenë shqiptarët. Miratimi i një ligji të posaçëm për Shkupin, si njësi e posaçme territoriale, dhënia e shumë kompetencave për prefektin e qytetit, vetëm se shton drojën se edhe në sferën e financimit do të ketë hile. Në tërë këtë vorbull dilemash, dyshimesh, megjithatë dikush është i obliguar që t’i hapë sytë që të mos ndodhemi prapë në situata të tilla që rreth 100 mijë shqiptarë të Shkupit të varen ende nga lëmosha e maqedonasve.

 

 

Shpërndaj:

REKLAMOHU KËTU

1 Javë: 50€

1 Muaj: 150€

DËRGO EMAIL KONTAKT NË WHATSAPP

Më të lexuara

Lajme të ngjajshme
Related

Arbër Bullakaj merr detyrën në Këshillin Kombëtar të Zvicrës

Gjashtë anëtarë të rinj të Këshillit Kombëtar morën detyrën...

Shkaqet shëndetësore ndikuan në moderimin e gazetarit Kushtrim Sadiku

Gazetari Kushtrim Sadiku, i kërkon falje publikut për paraqitjen...

Gjashtë të vdekur nga një zjarr në një autobus në Zvicër

Një autobus postar u përfshi nga flakët në Kerzers,...