Rreth tetë vite punova si vozitës në disa sipërmarrje në Zvicër, gjithçka shkonte mirë, por gjithmonë në mendje me proverbin „vozitësi njërën këmbë e ka në varr, e tjetrën në burg – po që se nuk të ndodhë asnjëra, atëherë kalon mirë“. Disa vite punova natën, një punë e mundimshme dhe tepër rraspkapitëse, pasi ditën duhet punuar e natën të pushohet.
Përndryshe, duhet ndryshuar gjithë metabolizmin dhe me siguri se gjatë kësaj shkaktohen çrregullime shëndetësore. Ka ndodhur që jam ndalur në ndonjë vendparkim dhe kam fjetur 20 minuta gjumë të vdekjes, i shtrirë në dysheme të ngushtë midis karrigeve të kamionit dhe më nuk të intereson se çka ndodhë më pas, nëse do të zgjohesh apo do ta vazhdosh gjumin. Më së rëndi e pata një mëngjes dimri, erdha para godinës ku banoj dhe për të hyrë brenda, më duhej të ngjitesha një palë shkallëve. Nuk ma mori mendja, nuk mund të lëvizja nga vendi, temperaturat ishin rreth zeros, e rregullova pak karrigen në formë më të përshtatshme dhe i mbylla sytë. Kisha fjetur derisa trupi nuk më ishte shtangur nga i ftohti, por mendja më ishte kthjellur dhe vazhdova të flej në shtratin e ngrohtë.
Është e vërtetë se vozitësit kanë rregulla në komunikacion, se u takon një pushim për t`u çlodhur, por kush mund ta komandojë gjumin se në çfarë kohe të flihet ?
Mos i akuzoni vozitësit për asgjë se edhe ata duan të fitojnë një kafshatë buke të hidhur, nën presionin e sipërmarrësit që nuk i përmbahet rregullave, vetëm e vetëm që të funskionojë biznesi i tij. Mos i akuzoni sidomos vozitësit e kamionëve e autobusave që qarkullojnë nëpër Europë e që për çdo ditë policia e Europës Perëndimore i gjobit për frerë të ndryshkur e jofunksionalë, për vozitje të stërzgjatur e jashtë rregullave, për mbingarkim të automjetit apo edhe ndonjë delikti tjetër, pasi asgjë nuk është në duart e tyre. Dikush i urdhëron që të veprojnë në këtë mënyrë, përndryshe mbeten pa bukë.
Një letër e një lexuesi anonim dërguar Redaksisë së portalit „Shtegu.com. lidhur me akuzat për vozitësin të cilin dyshohet se e kishte zënë gjumi gjatë aksidentit.

