21.11.2019
Shkelzen Halimi
Historiani i shquar amerikan, Edmund Morgan, ka thënë se të gjithë njerëzit krijohen si të barabartë; atyre u janë dhënë nga krijuesi të drejta të patjetërsueshme dhe në këto të drejta bëjnë pjesë, liria dhe përpjekja për lumturi. Këto të vërteta ne i respektojmë si të vetëkuptueshme. Për t’i garantuar ato, njerëzit krijojnë qeveritë, të cilat i marrin kompetencat e veta vetëm prej të qeverisurve. Çdoherë kur forma qeverisëse, e lidhur me qëllimin e sipërpërmendur, paraqitet si shkatërruese, është e drejta e popullit, ta ndryshojë ose ta rrëzojë atë për të krijuar një sistem të ri qeverisës, i cili, në themel dhe në formën e organizimit, i duket popullit si më i përshtatshëm për realizimin e sigurisë dhe lumturisë së vet. Një thënie e shkëlqyeshme, e cila më se miri i shkon për shtati aktualitetit. Prandaj, është koha që shqiptarët ta shijojnë lumturinë, sepse kjo është e drejtë e patjetërsueshme e tyre, kurse kjo mund të ndodhë vetëm nëse kthehet besimi, përgjegjësia, morali, nëse ngjallet ideali i gjithë atyre që për çështjen e drejtë shqiptare nuk e kursyen jetën dhe nëse e shikojmë të vërtetën në sy. Është koha që e shkatërruara ngadalë të fillojë të ndërtohet, natyrisht mbi një bazament të qëndrueshëm. Është e drejtë e popullit. Në të kundërtën, dëshpërimi, i manifestuar në kërkim të një jete ndryshe, do të marrë përmasa tragjike. Pas kësaj fatkeqësie, organizimi politik e shoqëror i shqiptarëve thjeshtë do të ishte i kotë, mbase absurd….
(Ilustrimi: Agim Sulaj)

