Tejkalimi i dallimeve më të mëdha mes grupeve të punës mbi propozim-Ligjin e Prokurorisë Publike pritet të fillojë pas takimit të liderëve. Alsat nga burime brenda grupeve të punës mëson se pushteti dhe opozita kanë diskutuar edhe për kryeprokurorin. Jo zyrtarisht pushteti është i gatshëm t’i ofrojë opozitës mundësinë për propozimin e kryeprokurorit dhe emërimin e tij përmes Kuvendit dhe Këshillit të Prokurorëve Publik. Në rast se LSDM-ja nuk i ofron opozitës atë që e kishte kërkuar Zaev kur ishte në opozitë, VMRO-DPMNE-ja mësohet se do të kërkojë që me propozimin e tyre të zgjidhet shefi i Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion, respektivisht shkarkimi i prokurores Villma Ruskoska.
Madje burime nga grupi opozitar thonë se e drejta e përcaktimit i është besuar kryeministrit Zaev i cili duhet të zgjedh mes Ljubomir Joveskit ose Villma Ruskoskës, duke shtuar se paraprakisht presin që Zaev t’i mundësojë opozitës propozimin e kryeprokurorit me qëllim që prokurorja Ruskoska të mos largohet nga krimi i organizuar dhe të mos i jepet qasje prokurorit tjetër në rastin “Reket”.
Lidhur me fatin e lëndëve të Speciales të cilat edhe zyrtarisht i morri Prokuroria Publike, në grupet e punës është diskutuar edhe për mundësinë e ndarjes së tyre. Në negociata është përmendur edhe mundësia që pas përfundimit të mandatit të prokurorëve special dhe kthimin e tyre në Prokuroritë amë, Joveski të thirret në të drejtën e subordinimit të Prokurorisë Publike dhe të urdhërojë vazhdimin e lëndëve me të drejtën e tij ekskluzive për t’i caktuar prokurorët të cilët do t’i përfaqësojnë lëndët. Në këtë rast, jo zyrtarisht mësohet se Joveski do t’i caktojë prokurorët e njëjtë të cilët deri tani lëndët i kanë përfaqësuar si prokuror special.
Në pjesën e veprave penale për të cilat Prokuroria Publike ka kompetenca të shtrojë akuza, pushteti ka propozuar që në mesin e tyre të përfshihet edhe ndjekja e veprave penale që burojnë nga materiale e përgjuara në mënyrë jo ligjore të periudhës 2008-2015. Opozita në këtë drejtim ka propozuar që të hiqet kufizimi dhe të ndiqen veprat që burojnë nga materiale të përgjuara nga viti 2008 e tutje.
Nga negociatat e deritanishme dyja palët kanë konstatuar se konsensusi dhe miratimi i ligjit akoma nuk është garantuar. /Alsat

