Për shkak të frikës së avionit, gjermanët shoqërojnë azilantin maqedonas 2 mijë kilometra
13:45:05 2017-08-05
Për shkak të frikës me avion, Landi i NRW në Gjermani ka dëbuar për në vendlindje një shtetas maqedonas me furgon të llojit „VW“. Ai është shoqëruar plotë 2 mijë kilometra nga katër përcjellës.
Një person nga Maqedonia, kërkesa e azilit e të cilit është refuzuar, sipas informatave të „RP Online“ nga Düsseldorfi i Gjermanisë është dëbuar duke e përcjellur me një furgon të llojit „VW“. Ai kishte deklaruar se ka frikë nga fluturimi me avion.
Në relacionin e gjatë plotë dy mijë kilometra, maqedonasi është shoqëruar nga katër persona, dy policë dhe nga një person të dy shërbimeve përkatëse për migrim. Një veprim i tillë ka krijuar pakënaqësi në qarqet policore, pasi kanë ndjerë mungesën e nëpunësve të tyre.
Ministria e Brendshme gjermane e NRW-së ka konfirmuar se ekzistojnë raste të tillë. „Dëbimet e tilla ndërmerren kur bëhet fjalë për shkaqe shëndetësore apo për shkaqe të tjera të ndryshme dëbimi dështon „, ka pohuar zëdhënësi i Ministrisë gjermane të Integrimit. Me këtë rast, dëbimet realizohen me furgonë të autoriteteve gjermane. Përkrahje policore realizohet po që se personi është agresiv.
Aktualisht, në NRW janë 72.375 persona të cilët do të duhet ta lëshojnë territorin gjerman. Shumica e tyre janë nga Ballkani, prej të cilëve 7.949 serbë, 7.600 shqiptarë, 4.977 maqedonas, 4.887 kosovarë dhe 3.114 afganë.