Zaev: Ma jepni numrin e El Chekës, pse s’publikon “bomba” për mua (Video)
Kryeministri Zoran Zaev kërkoi numrin e telefonit të El Chekës me qëllim që ta pyet përse publikon “bomba” vetëm për partnerin e tij të koalicionit.
Nëse keni ndonjë telefon, më jepni të z. Cheka. Si quhej? Ti paraqitem dhe ta pyes, pse bre mik ti vetëm për z. Ahmeti publikon dhe nuk publikon për mua?
Kështu iu përgjigj kryeministri Zoran Zaev, pyetjes së gazetarëve, se si e komenton deklaratën e kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, që El Cheka nuk publikon materiale për LSDM-në dhe VMRO-DPMNE-në. Zaev tha se përgjimet që i publikon El Cheka janë anti-ligjore dhe ai duhet patjetër të përgjigjet penalisht.
Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, mbrëmë deklaroi se nuk i ka dëgjuar bombat e publikuara nga El Cheka. Por habitet pse ai nuk publikon edhe përgjimet private të funksionarëve të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së.
Më vjen keq po si nuk ndodhi një bisedë private e familjare tek anëtarët e VMRO-së dhe tek anëtarët LSDM-së. Por vetëm të BDI-së paskan folur biseda private, po ku janë biseda të tjera. Dhe unë mendoj që ky milet nuk han bar dhe bën krahasime, po mirë vetëm këta paskan folur biseda private po këta të tjerët a paskan qenë engjëj dhe asgjë nuk ka?- u shpreh Ali Ahmeti, BDI.
Qeveria edhe më herët njoftoi se do të kërkojë ekstradimin e Sheqerim Ahmetit nga SHBA-ja, i njohur me nofkën El Cheka, për shkak të publikimit të bisedave të përgjuara të funksionarëve të BDI-së. Kundër El Chekës, filloi edhe procedurë gjyqësore në Gjykatën e Kërçovës, por seanca e parë u anulua për shkak të mos-prezencës së tij./Alsat