Natën e së dielës në të hënë, është gjetur trupi i pajetë i një gruaje rreth të pesëdhjetave, në një ndërtesë në Plainpalais të Gjenevës. Vrasësi i dyshuar është arrestuar në veri të Italisë, shkruan „20 Minutes“.
Një grua 55-vjeçare është vrarë të dielën në një ndërtesë në rrethin Plainpalais, në qendër të qytetit të Gjenevës. Trupi i saj është gjetur nga policia rreth orës 04:00 të mëngjesit. Vrasësi i dyshuar tashmë është arrestua në rajonin e Milanos në Itali.
Vrasësi i dyshuar është në pritje të ekstradimit, tha të martën prokurori publik, i cili kishte lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar. Qendra e emergjenës së policisë mori një telefonatë të dielën. Hetimi do të duhet të përcaktojë shkaqet dhe rrethanat e kësaj vrasje. Prokuroria nuk ka bërë komente të mëtejshme në këtë fazë, informon Shtegu.com.
Sipas komandantit të policisë në Cassano (I), të cituar nga agjensia italiane Ansa, vrasësi i dyshuar, një shqiptar 27-vjeçar, akuzohet se ka goditur me thikë gruan e moshës rreth të pesëdhjetave. Ai është arrestuar në një spital në Sesto San Giovanni (I), ku u operua për një lëndim të dorës, i cili ndoshta ishte shkaktuar gjatë mosmarrëveshjes me gruan.
Sipas agjencisë së lajmeve Adnkronos, viktima u godit me thikë në banesën e saj dhe kërkoi ndihmë nga një fqinj. Autori i krimit pastaj u arratis, duke humbur gjak. Hetimet fillestare dhe kontrollet e menjëhershme nga policia zvicerane bënë të mundur identifikimin e tij, por ai tashmë kishte kaluar kufirin me një veturë.
Ansa tha se ai udhëtoi për në Itali me veturë me një mik, i cili tha se nuk dinte asgjë për vrasjen dhe nuk ndiqej penalisht. Autori i dyshuar tani duhet të paraqitet para Gjykatës së Apelit në Milano për ekstradimin e tij.

