Oraret e trenave në Zvicër duket se janë fikse. Por, herë pas here, hekurudha zvicerane SBB klientëve të saj u ofron shërbim të veçantë, psh kur futen në ndonjë tren të gabuar dhe u mundëson që trenat të ndalen enkas për ta në këto raste.
Të mërkurën e kaluar, Jasmin Steiner (25) kishte një nga provimet e fundit bachelor të saj në administrimin e biznesit në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Zvicrën Veriperëndimore. Ky do të mbahej në Olten. Me nervozizëm të madh, ajo u fut në trenin e gabuar në Bernë, në mëngjes – jo tek ai që ndalet në Olten, por tek ai që shkon direkt në Cyrih.
„Kur treni kaloi në Olten, unë nuk dija çfarë të bëja“, thotë Jasmin për „20 Minuten“. Në dëshpërim, ajo iu drejtua shoqërueses së trenit. Kjo e fundit menjëherë thirri lokomotivistin e trenit dhe punëtorët e kutisë së sinjalit. Ata mundësuan që treni të ndalej në mënyrë të veçantë në Aarau. Me zbritjen e saj në Aarau, studentja prapë mbërriti në Olten me kohë.
Punonjësit e SBB vepruan shumë shpejt, thotë Jamsin, transmeton Shtegu.com. Në orën 9:02 të mëngjesit të mëngjesit, ajo vuri re që treni në Olten nuk do të ndalet. Në orën 9.07 të mëngjesit ai kishte ndaluar tashmë në Aarau. „Nëse ata nuk do të kishin reaguar kaq shpejt, do të më duhej tëshkoja deri në Cyrih. Atëherë do ta kisha humbur provimin“, pohon Jasmin.
Në fillim, ajo nuk priste që personeli të ishte në gjendje të bënte asgjë ose t`i dilte në ndihnmë aq shumë, thotë më tej studentja. „Edhe ashtu, mendova se një pyetje nuk kushtonte asgjë“. Në fëmijërinë e saj, ajo kishte dëgjuar për një rast në të cilin një lokomotivist ishte sjellur jashtëzakonisht mirë me një biznesmen. Burri ishte futur në tren të gabuar dhe përndryshe do të kishte humbur fluturimin e tij. „Më bëri akoma më shumë të lumtur që ata në fakt u ndalën për mua“.
Ajo e bëri për mrekulli provimin pasi kishte mbërritur me kohë. „Madje kisha kohë për të zbutur pak nervozizmin tim dhe isha në gjendje të filloja me një ndjenjë të mirë“. Megjithëse ajo ishte lehtësuar plotësisht në atë moment, vetëm më vonë ajo e kuptoi vërtet se çfarë kanë bërë punonjësit e SBB-së për të. „Prandaj, do të doja të falënderoja personat e përfshirë në këtë veprim, për këtë shërbim të jashtëzakonshëm“. Por, ajo ende nuk e di nëse e ka kaluar provimin.
Joël Müller, i cili është një këshilltar i klientëve në SBB, tregon një histori të ngjashme në blogun e tij „Einfach Retour“. Atje ai raporton për një çift të ri që donin të shkonin në pushime pothuajse dy vite e gjysmë më parë. Sidoqoftë, të dy u futën në trenin e gabuar në Cyrih dhe për këtë arsye u nisën drejt Sargansit në vend të aeroportit Kloten. Kur vuri re gabimin e saj, gruaja e re kishte filluar të qajë sepse pushimet e saj i ndjeu të rrezikuara. ÇIfti dëshpërimisht iu drejtua shoqëruesit të trenit Müller.
Müller e thirri qendrën e operacionit në Bernë dhe e pyeti nëse një ndalesë shtesë do të ishte e mundur, informon Shtegu.com. Nëse preken vetëm dy persona, kjo është një gjë e rrallë, thotë Müller. Por pak më vonë, telefoni ra dhe ai u informua se një ndalesë shtesë ishte e mundur në Pfäffikon dhe treni për në aeroport në atë moment ishte në binarët e kundërt. „Pushimet u shpëtuan“, shkruan Müller dhe çiftit i uron pushime të këndshme.
Ndalime të tilla speciale janë përjashtime, thotë Oli Dischoe, zëdhënës i SBB. „Në raste të tilla, SBB kontrollon nëse një ndalesë e jashtëzakonshme është e mundur. Nëse po, stafi ynë do të ishte i lumtur ta bënte të mundur këtë në raste individuale“, thotë ai. Për këtë, megjithatë, do të duhej të përmbusheshin kriteret e ndryshme. „Ndalesa e jashtëzakonshme mund të mos ketë ndonjë ndikim në orarin e trenit ose trenat e tjerë në fjalë“. Ai konfirmon se ky ishte rasti me studenten e re dhe shton: „Shpresojmë që studentja ta ketë kaluar provimin e saj me sukses».


