Vrasësi në xhami të Zvicrës kërkon reduktim të dënimit
15:49:43 2017-09-26
Rasti i shqiptarit 53-vjeçar, i cili në muajin gusht të vitit 2014, në një xhami në St. Gallen të Zvicrës vrau një shqiptar tjetër 51-vjeçar, do të rishqyrtohet edhe një herë nga Gjykata zvicerane. I dënuari kërkon reduktim të dënimit, pasi nga instanca e parë ishte dënuar me 18 vite burg për shkak të vrasjes.
Vrasësi shqiptar ka bërë ankesë kundër vendimit të Gjykatës rajonale të St. Gallen-it. Ai tashmë dëshiron të dënohet me dhjetë vite burg për vrasje të qëllimshme dhe shkelje të Ligjit për armëmbajtje. Nga ana tjetër, Prokuroria shtetërore kërkon dënim prej 20 vitesh burg, ndërsa procesi do të mbahet para Gjykatës rajonale St. Gallen, nga fundi i tetorit të këtij viti.
Në instancën e parë, Gjykata rastin e ka klasifikuar si vrasje, shkruan „Appenzeller Zeitung“, përcjellë „Shtegu.com“. Gjatë shqiptimit të dënimit, Gjykata e ka shqiptuar masën për dy vite më të ulët se sa kishte kërkuar Prokuroria. I dënuari e ka planifikuar vrasjen, duke goditur viktimën e pambrojtur gjatë faljes së namazit të xhumasë në xhami, ka pohuar kryetari i trupit gjykues gjatë shqiptimit të dënimit. Motivi i tij ka qenë gjakmarrja.
Vëllai i shqiptarit 53-vjeçar, para 20 vitesh ishte vrarë gjatë një zënke në mes të të dënuarit, vëllait të vet dhe viktimës së mëvonshme në Walenstadt SG. Tre të dyshuarit më pas ishin liruar me arsyetim se veprën e kanë kryer në vetmbrojtje.
Sipas akuzës, të involvuarit në ngjarje nuk kanë kërkuar asnjëherë besë sipas kanunit shqiptar.
Pasi i dënuari e kishte vëzhguar vendngjarjen, asaj dite të kobshme ai shkoi i armatosur në xhaminë „El-Hidaje“ në St. Gallen-Winkeln.
Atje, ai filloi të lutet me të tjerët. Gjatë pauzës, autori mori armën nga vetura e tij dhe kthehet në xhami, duke pritur derisa të përfundonte pjesa e dytë e lutjes. Më pas, ai iu ka afruar viktimës dhe nga afërsia ka qëlluar shtatë herë në shqiptarin 51-vjeçar, i cili në atë moment ka qenë në gjunj, duke u falur. Ai vdes menjëherë në vendngjarje.