Vjehrritë në Kosovë ia refuzojnë specialitetet me kërmij kuzhinierit shqiptar me famë nga Gjermania
13:28:13 2017-12-04
Që heret në mëngjes, Shkelzen Badalli me bashkëshorten Mirveten janë në kuzhinën e restoranit, duke diskutuar se çfarë do tu ofrojnë mysafirëve si meny për drekë. Gjatë muajve para festave të Krishtlindjes, grupe të shumta të mysafirëve gjermanë i kanë rezervuar tavolinat e tyre. Përpos kësaj, në restorantin e tyre në Möhringen të Gjermanisë janë edhe mysafirët e rregullt dhe ai pothuajse gjithnjë është i stërmbushur me mysafirë. Restoranti ka një kapacitet prej 70 vendeve, ndërsa menytë janë të shumtë dhe të pasur.
„Ne dallohemi për nga cilësia e lartë e kuzhinës shvabe“, pohon Shkelzeni. Gurmanët shvabë mund të gjejnë menytë e tyre përkatëse me shije tradicionale. „Ne gatuajmë produkte me cilësi të lartë nga rajoni“. Restorantin e njohur, Shkelzen Badalli 39-vjeçar e mori para katër vitesh dhe tani është pronar dhe shef i tij i kuzhinës. Mirvetja është kamariere dhe restoranti është shndërruar në biznes familjar.
Rrugën e gastronimisë, Shkelzen dhe Mirvete Badalli e kanë ndërmarrë së bashku. Ata janë njoftuar që në moshën 14-vjeçare në vendlindjen e tyre, në Kosovë. Një vit më vonë, Shkelzeni iu bashkua babait të vet në Gjermani, i cili para shumë viteve kishte emigruar atje. Mirvetja i shkoi pas në vendin e huaj, u martuan dhe lindën katër fëmijë. „Në të vërtetë, unë ndjehem më tepër si gjerman, më saktëisht si shvabë“, vazhdon më tej Shkelzen Badalli. Ai gjithnjë kishte në mendje se si të bëhej i pavarur. Trajnimin në gastronomi e ka kryer në një restorant në Vaihingen dhe më pas ka vijuar kurse të ndryshëm për hotelieri. „Në këtë profesion gjithnjë kam kontakte me njerëz dhe kjo më krijon disponim“, thotë Shkelzeni për „Stuttgarter Nachrichten, përcjellë „Shtegu.com“.
Edhe pse në ora 23.00 restoranti zyrtarisht mbyllet, çifti bashkëshortor Badalli ende nuk e ka përfunduar punën. „Fillimisht duhet të pastrohet gjithçka“, spjegon Shkelzeni. Vetëm gjatë ditës së hënë ai e ka të lirë dhe e shfrytëzon për çështje administrative dhe për të tregtuar. „Punojmë shumë, por ajo që është më me rëndësi është fakti se gjithnjë jemi së bashku, e sidomos kur duhemi shumë në mes vete“, pohon Mirvetja. Ajo i ka dekoruar bukur tavolinat e restorantit me një stil vjeshtor. Shpeshëherë, gjatë fundjavës në ndihmë i vjen vajza më e madhe dhe pas kësaj, fëmijët e tjerë i gëzohen pjatave të përgatitura nga babai i tyre.
Vetëm se vjehrritë e tij në Kosovë, Shkelzeni nuk mund t`i bindë asnjëherë me specialitetet e tij shvabe. Një herë në vit, së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët, ai i viziton në Kosovë, por gjithmonë e refuzojnë kuzhinën shvabe. Kërmijtë e përgatitur nga Shkelzeni, për ta janë specialitet i paimagjinueshëm. (Shtegu.com)