Vendim befasues: Lirohen tetë të akuzuarit për vrasjen në Austri
2019-02-24 19:32:47
Vetëm njëri nga të dyshuarit për vrasjen e shtetasit nga Maqedonia në Austri, mbetet në paraburgim
Pas rrahjes masive vdekjeprurëse në një shisha bar në Regau (Vöcklabruck), në të cilën një person 29-vjeçar nga Maqedonia, u vra me thikë, në Gjykatën rajonale të Welsit, gjatë fundjavës është zhvilluar një seancë për masat e arrestit. Rezultati ka qenë bëfasues: Tetë nga nëntë të dyshuarit e arrestuar, u liruan nga paraburgimi. Vetëm një autor i dyshuar ka vazhduar të qëndrojë në paraburgim, shkruan „Nachrichten“, përcjell Shtegu.com.
Tetë personat kanë qenë të dyshuar për veprën penale „rrahje me pasojë vdekje“, me ç`rast ligji parasheh dënim deri në dy vite burg, ka deklaruar Birgit Ahamer, nga Prokuroria në Wels.
I dyshuari i nëntë, i cili duhet ende të qëndrojë në paraburgim, dyshohet se ka ther një viktimë tjetër me thikë në bark, i cili i mbijetoi sulmit me plagë të rëndë.
Ende mbetet plotësisht e paqartë se cili person me të vërtetë e ka therë shtetasin nga Maqedonia, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse, informon Shtegu.com. Prokurorja ka theksuar se nuk përjashtohet mundësia që autori të jetë në mesin e personave të tjerë që kanë qenë të përfshirë në zënkë, e të cilat janë ende në arrati. Hetimet nuk kanë përfunduar ende dhe po hulumtohen gjurmët e ADN-së. Siç është raportuar edhe më herët, dy grupe të armiqësuara të personave ishin zënë natën e 9 shkurtit në një shisha bar në Regau. Motivi dyshohet të ketë qenë grindja mes dy familjeve. Më në fund u shkaktua rrahje masive, në të cilën shtetasi 29-vjeçar nga Maqedonia u vra me thikë dhe gjashtë persona të tjerë u plagosën, disa prej tyre rëndë.
Sipas prokurores, në këtë zënkë kanë qenë të përfshira disa thika. Njëra prej tyre mund të ketë qenë arma e vrasjes. Aktualisht hetimet janë duke u zhvilluar në mënyrë intensive.