Vazhdon gjykimi i maqedonasit nga Zvicra, anëtar i „Pink Panther“-it
10:33:14 2017-09-15
Në ditën e dytë të gjykimit, në procesin e Kölnit në Gjermani, i njohur si „procesi i Pink Panther“-it, të akuzuarit kanë filluar rrëfimet për jetën e tyre. Por, vetëm njëri ka qenë i gatshëm të japë më shumë detaje.
Në sallën e Gjykatës, mund të vërehej qartë se si shtetasi i akuzuar 36-vjeçar maqedonas i ofendonte përgjegjësit para avokatit të vet: „Derra sadistë“, bërtiste maqedonasi, i cili vetëm para pak çastesh ishte sjellur në sallë nga njësitë e maskuara speciale të policisë. Edhe gjatë ditës së dytë të gjykimit të tre të akuzuarve, është vërejtur mobilizim i madh i forcave policore për siguri.
Në fillim të rrëfimit për vetveten, maqedonasi ka spjeguar për kushtet në burgun e Düsseldorfit. „Ata janë sadistë“, i ka pohuar gjykatësit, shtetasi maqedonas në një gjuhë të rrjedhshme gjermane. Prangat e këmbëve kanë qenë aq të ngushta, sa që ai i kishte lënduar këmbët. Për këtë arsye, ai nuk ka mundur të ecë shpejt, ndërsa njësia speciale e ka rrëzuar përtoke duke e ofenduar me fjalë.
Gjuhën e tij të rrjedhshme gjermane, ai e ka mësuar në Zvicër, ku e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës dhe ku ka jetuar „mirë dhe në suazat e normales“. Gjithçka kishte filluar mbrapsht pas një aksidenti me veturë në vitin 1990, kur sigurimi nuk e kishte paguar asgjë, shkruajnë mediet gjermane, njofton „Shtegu.com“. Ai ishte ndjerë i mashtruar, prandaj i kishte kërcënuar nëpunësit. Në bazë të këshillave të avokatit, ai nuk ka zbuluar detaje të tjera.
Dy të akuzuarit e tjerë, nuk kanë pasur akuza për kushtet e burgut, por më me dëshirë nuk do të qëndronin në burg. Bëhet fjalë për një shtetas boshnjak dhe një serb nga Beogradi. Që të tre akuzohen për një plaçkitje të rëndë gjatë vjeshtës në Esslingen am Neckar, kur kanë plagosur rëndë një roje dhe kanë plaçkitur stoli të çmuara me vlerë prej 600.000 euro, por edhe vepra të tjera të rënda.
Vendimi gjyqësor pritet të shqiptohet nga fundi i muajit nëntor.