Vazhdon ankthi për Florijanën, vëllai i saj dyshon se ajo është në fund të liqenit
16:53:16 2019-07-01
Edhe gjatë ditës së hënë nuk ka gjurmë nga futbollistja shqiptare e Përfëqsueses zvicerane, Florijana Ismaili (24). Në kërkim është vënë në funksion edhe një robot. Të afërmit e Florijanës janë gjithnjë e më të dëshpëruar.
Megjithëse shpresa po pakësohet me çdo orë që kalon, ndihmësit janë ende në kërkim me intensitet të lartë për Florijana Ismailin në Liqenin e Comos. Që prej të shtunës, futbollistja shqiptare e cila është nën kontratë me Young Boys dhe ka luajtur gjithashtu 33 herë për Përfaqësuesen zvicerane, është zhdukur, shkruan Blick, përcjell Shtegu.com.
Në pikën ku Florijana u zhyt për tu freskuar, thellësia është rreth 200 metra. Me një robot zhytës, ndihmësit po përpiqen ta kërkojnë në pjesën e poshtme të liqenit edhe në këtë thellësi. Një ekip specialistësh ka ardhur enkas nga Milano.
Në Como (I), në ndërkohë ka ardhur edhe familja e Florijanës. Dëshpërimi i saj është i madh pas gjithë këtyre orëve të pasigurisë. „Ne ende nuk dimë asgjë. Jemi duke pritur për informatë, por dyshojmë që Florijana gjendet në fund të liqenit“, ka thënë vëllai i saj.
Nëse është e nevojshme, forcat do të vazhdojnë ta kërkojnë Florijanën për tërë javën. Të hënën në mbrëmje, megjithatë, ata mund ta detyrohen ta ndërpresin kërkimin, për shkak të motit të papërshtatshëm. Në Liqenin e Comos priten stuhi dhe erëra të forta.