Tronditet Kumanova, vritet dhe hidhet në pus një person
14:20:04 2016-06-30
“Një trup i pajetë, me plagë në anën e djathtë të kokës, të shkaktuar nga arma e zjarrit është gjetur në një pus në afërsi të kishës “Shën Mina”, në fshatin Dobroshan të Kumanovës”, deklaroi Prokuroria Themelore.
Një ekip i zhytësve të Ministrisë së Punëve të Brendshme e kanë nxjerrë trupin nga pusi, ndërkaq prokurori i Prokurorisë së Kumanovës ka kryer ekspertizë në vendin e ngjarjes.
Për rastin në fjalë është i dyshuar një person i cili është mbajtur në stacionin policor, ndërkaq Prokuroria ka dhënë urdhër për bastisje në shtëpinë e tij.
“Prokurori kompetent nga Prokuroria Themelore e Kumanovës, ka kryer ekspertizë në afërsi të kishës “Shën Mina” në fshatin Dobroshan, ku në një pus i cili ndodhet në malin me pisha është gjetur një trup i pajetë. Në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, zhytësit e kanë nxjerrë trupin në të cilin është vërejtur plagë nga arma e zjarrit në anën e djathtë të kokës. Në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe shenja gjaku dhe një gëzhojë”, qëndron në kumtesën e Prokurorisë Themelore.
Nga atje shtojnë se personi është identifikuar, ndërkaq ka qenë i lajmëruar si i humbur.
“Prokurori publik kompetent, ka dhënë urdhër për autopsi të personit të ndjerë, por edhe urdhër për ekspertizë të shenjave materiale të gjetura në vendin e ngjarjes”, thonë nga Prokuroria. (LAJM)