Toska: Himni “Nënë Tereza” mesazh për bashkim mes shqiptarësh

87 Lexime
Diana Toska ishte mysafire e Baton Haxhiut, sonte në Zona B të Klan Kosova.

Gazetarja shpalosi përgatitjet rreth projektit të madh për Nënën Terezë, që do të organizohet me 5 shtator, në sheshin që mbanë emrin e laureates shqiptare, në Prishtinë.

“Projekti është kështu – një himn për Nënë Terezën, me një orkestër gjithëkombëtare, me korin e filarmonisë së Kosovës në të cilin marrin pjesë 200 muzikantë”.

“Sopranoja e madhe, Inva Mula e këndon himnin”, tregoi Toska, transmeton Klan Kosova.

Ajo zbuloi se në shesh do të jetë edhe aktori i madh shqiptaro-amerikan, Jim Belushi.

Toska u bëri thirrje të gjithëve që me pjesëmarrje të tregojnë përkrahje për projektin, por mbi të gjitha për vetë Nënë Terezën.

Sipas saj, kjo do të ishte reklama më e mirë që shqiptarët do t’i bënin shpirtit të tyre human.

“Shpresoj se populli do ta kuptojë madhështinë e himnit ‘Nënë Tereza’”.

“Tash do t’i kemi dy himne, çdo manifestim që do të bëhet në botë për Nënën Terezë, do të festohet me himnin e saj, të bërë nga ne”.

Ajo tregoi se përkrahja morale nuk ka munguar nga institucionet shtetërore, por shpreson edhe në atë financiare, sepse projekti është shumë i kushtueshëm.

“Afër 250 mijë ose 300 mijë euro do të kushtojë gjithçka”.

Mysafirja e Zonës B, tha se mesazhi i projektit, manifestimit, por edhe vetë himnit për Nënën Terezë, është shumë i fuqishëm.

“Motoja është: ‘’Bashkimi Kombëtar’’, kjo është ideja e përgjithshme, ne po ia japim besën nënës tonë, për bashkim”.

“Uniteti bën fuqinë”.

“Himni është shqip dhe anglisht, duke kënduar këtë himn ne do të bëjmë me dije se ajo ishte e është shqiptare”, pohoi Toska.

klankosova.tv