Ish ushtari i UÇK-së Tomor Morina nuk duhet të dorëzohet në Serbi. Kështu vlerëson Gjykata Penale e Shkupit e cila thotë se nuk janë përmbushur kushtet lidhur me kërkesën e Beogradit për ekstradimin e tij. Nga Gjykata shtojnë se lënda për shqyrtim të mëtejshëm do të dërgohet në Gjykatën Supreme. Ndërkaq masa e paraburgimit ndaj Morinës do të vlejë derisa ky vendimi të vërtetohet në Gjykatën Supreme.
Pas shqyrtimit të të gjithë dokumentacionit të dërguar nga kërkesa, duke u bazuar në praktikën e deritanishme gjyqësore dhe të drejtën ndërkombëtare, miratuam vendimin se nuk janë plotësuar kushtet për ekstradim të personit në Republikën e Serbisë, si kërkues i ekstradimit. Vendimi, së bashku me lëndën, në pajtim me nenin 65 pika 3 e Ligjit për bashkëpunim ndërkombëtar për materie penale, menjëherë do të dorëzohen në Gjykatën Supreme të RMV-së, për vendime të mëtutjeshme”-thonë nga Gjykata Penale Shkup.
Jurisit Fadil Xhelili thotë se institucionet vendase me urgjencë duhet të veprojnë në raste të tilla të ekstradimit. Sipas tij, vendimet jo adekuate të organeve të drejtësisë së Maqedonisë, mund të irritojnë Prishtinën zyrtare, duke çuar në ftohjen e marrëdhënieve diplomatike.
Morina për më shumë se dy javë po qëndron në paraburgim në Shutkë, ndërsa ishte arrestuar nga policia maqedonase në vendkalimin kufitar Bllacë, në bazë të një fletë-arresti të lëshuar nga INTERPOL-i, me kërkesë të Serbisë. Morina ka shtetësi të dyfishtë, atë të Britanisë së Madhe dhe shtetësi të Kosovës. Morina akuzohet nga Serbia për “krime lufte” gjatë konfliktit në Kosovë. /Alsat

