09:31:50 2016-01-09
Dyshekë në vend të shtretërve dhe ushqimi i mëngjesit në divan: Edhe pse shqiptari Fuat Izairi mbanë dy vende të punës, familja e tij e vogël nuk mund të gjejë banesë.
Fëmijët e tij të zgjuar, gjatë ditës Fuat Izairi i shehë vetëm për 20 minuta. Kjo ndodhë kur ai kthehet për tu veshur me rrobe të tjera, nga vendi i tij i punës si mirëmbajtës i pamjes së jashtme të shtëpive dhe për t`ia filluar punës së tij të dytë si punëtor higjiene. „Puna më krijon kënaqësi“, deklaron shqiptari 29-vjeçar, „por kjo nuk po më mjafton që ta gjejë një banesë më të madhe“. Më tepër se dy vite ai është duke kërkuar një banesë tre-, apo katërdhomëshe në Mynih, por, përpos dy punëve që është duke i mbajtur, ai ka marrë vetëm përgjigje negative.
Aktualisht, familja Izairi ka postuar një shpallje falas në projektin qytetar „Ndryshoje qytetin tënd“, ndërsa në fund ka shkruar se situata po bëhet gjithnjë e më e padurueshme. Deri më tani, Fuati dhe bashkëshortja e tij e lindur në Gjermani, Arjeta Izairi, me dy fëmijët e tyre, janë duke jetuar në një sipërfaqe prej 35 metra katrorësh në Giesing.
Si një çift freskët i dashuruar, ata kishin marrë një banesë në afërsi të prindërve të Arjetës. Banesa u kishte shërbyer edhe si kuzhinë, edhe si dhomë e ditës, por edhe dhomë për mysafirë, ndërsa dhomën e gjumit e kishin improvizuar duke e ndarë me një perde. „Sa ishim vetëm ne dy, banesa ka qenë e mrekullueshme, por më vonë na lindën dy fëmijët: Medina dhe Diari“.
Tani, familja shqiptare me katër persona është duke jetuar vetëm në një dhimë të vetme. Dhoma e fjetjes për çiftin bashkëshortor tashmë nuk ekziston kohë të gjatë, pasi për mungesë të sipërfaqes, ajo është vendosur në bodrum. Në vend të saj, ata kanë dy dyshekë të cilët i ndajnë me Medinën e vogël, pranë krevatit të Diarit. Një tavolinë e vërtetë e kuzhinës mungon, ndërsa ata ushqehen në divan, para televizorit.
„Është një katastrofë e vërtetë“, ka pohuar nëna e Medinës, të cilën mundohet ta qetësojë vajzën energjike, për të mos e zgjuar nga gjumi i drekës Diarin e vogël. „Nuk ka vend për të lozur e as për të lëvizur. Bashkëshorti im është totalisht i lodhur, pasi foshnja qanë gjatë natës. Në punë gjithnjë shkon i stërlodhur. Jemi në fund të forcave tona“, spjegon Arjeta për „Abendzeitung“, transmeton „Shtegu.com“.
Tash e dy vite. çifti shqiptar është lajmëruar në entin e banesave. Edhe pse familja ka një kualifikim të lartë, deri më tani ajo ka pasur vetëm një ofertë, e cila kishte dështuar, pasi një familje tjetër e kishte marrë banesën. Që atëherë, ajo nuk ka pasur më ndonjë ofertë tjetër. Një zhvendosje e familjes nga Mynihu, nuk vjen në shprehje pasi babait do t`i humbisnin të gjitha shpresat që t`i shohë fëmijët, ndërsa edhe Arjeta e ka vendin e punës në afërsi.

