„Der Standard“: Shpëtojnë nga kamioni më tepër se 30 refugjatë në Maqedoni
09:10:22 2016-01-10
Një vozitës i panjohur, kamionin e kishte parkuar në afërsi të kufirirt me Serbinë
Më tepër se 30 refugjatë kanë arritur të lirohen nga një kamion i mbyllur, duke u shpëtuar kështu nga një ngulfatje e mundshme. Siç bën me dije policia maqedonase gjatë të shtunës, një vozitës i panjohur e ka parkuar kamionin në rajonin verior maqedonas të Kumanovës, në afërsi të kufirit me Serbinë, duke e mbyllur nga jashtë hapësirën për ngarkesë dhe më pas është arratisur në drejtim të panjohur. Por, „Der Standard“ informon se refugjatët kanë arritur të lirohen nga hapësira e mbyllur, ndërsa shumica e tyre kanë qenë në gjendje shumë të keqe, njofton „Shtegu.com“. Sipas të dhënave policore, bëhet fjalë për 16 irakienë, 15 iranienë dhe dy shtetas libian. Paraprakisht, ata kishin ardhur nga Greqia, duke u futur në kamionin në fjalë. Sipas policisë, autotargat e kamionit kanë qenë të falsifikuara. 16 Irakianët janë dërguar në një qendër pranimi në Tabanocë, prej ku do të mund të udhëtojnë në drejtim të BE-së. Që nga muaji nëntor, autoritetet maqedonase lejojnë kalimin e refugjatëve nga vendet e krizës së luftës, para së gjithash sirianët, irakianët dhe afganët. Në muajin gusht ët vitit të kaluar, në një kamion në Austri jetën e humbën 71 refugjatë të mbyllur në te, në mesin e të cilëve kishte shumë fëmijë e gra.