Tetovari porosit 25 byrekë pasi u hap byrektorja e Puqës Xhelil në Zvicër

1727 Lexime

Mbyllja e lokaleve për shkak të pandemisë së koronavirusit ka ndikuar dukshëm edhe në sferën e gastronomisë në Zvicër. Të prekur jo vetëm që ishin restorantet, por edhe byrektoret. Njëri ndër të prekurit nga kriza e koronavirusit është edhe Xhelil Beadini nga Pallçishti i Poshtëm i Tetovës me punë të përkohshme në Cyrih të Zvicrës. Aty, ai është duke menaxhuar me sukses byrektoren „Tetova 1“, por gjatë krizës së koronavirusit, edhe Puqa Xhelil (shumica e thërrasin me këtë nofkë të ëmbël tetovare) u prek nga kufizimet e shumta dhe masave preventive të Këshillit Federal zviceran.

Lumturia e tij nuk kishte fund kur të hënën ai e rihapi sërish lokalin e tij që gjendet në rrugën Schachenmatstr. 9, 8953 Zürich. I dukej sikur kishte rilndur, sikur po fluturonte për t`i shërbyer mysafirët e tij që e kishin mbushur përplot me kërkesa për ushqimet e tij të shijshme.

Që nga klasa e shtatë, Puqa Xhelil filloi t`i ndihmojë familjes në këtë profesion, të cilin e kishte ushtruar në të gjitha trojet e ish Jugosllavisë, për vite me radhë. „Specialitetet e mia janë byreku dhe qebapat, për të cilat pranoj urata të shumta nga bashkatdhetarë tanë, por edhe nga zvicerane e të huaj të tjerë“.

Mikrpritja e tij është madhështore, buzëqeshja dhe sinqeriteti janë tiparet që i ka të lindur dhe asnjëherë nuk i mungojnë. Biseda e tij e këndshme ndonjëherë i huton mysafirët dhe i shtyn të kujtohen se çfarë kanë ardhur të blejnë.

Bile, një bashkatdhetar nga Tetova, me të kuptuar se është hapur sërsih byrektorja e Puqës Xhelil, ka porositur plot 25 copë byrekë, nga malli i tij për t`u ushqyer me të gatuarat e kuzhinierit të vyeshëm tetovar.

Lokali „Tetova 1“ është i përshtatshëm për dreka apo darka familjare, me tavolina dhe vendparkingje të mjaftueshme.

Megjithatë, te Puqa Xhelil mund të vërehet qartë brenga ndaj vendlindjes. „Investuam shumë në vendlindje, me shpresën se ndonjëherë do të kthehemi. Por, për fat të keq nuk ka asnjë shenjë e progresit në vendlindje. Ende nuk dëgjova se diku do të hapet ndonjë fabrikë, se do të punësohen 200-300 punëtorë, se edhe në Maqedoninë e Veriut mund të jetohet mirë, se politikanët tanë po punojnë për të mirën e popullit. Po më duket se i dogjëm të gjitha ato të holla, sikur t`ua kishim vënë shkrepsën dhe u zhdukën“, ka pohuar për Shetgu.com Puqa Xhelil i zhgënjyer .