Ta zëmë, ra qeveria ?

82 Lexime
NUK ËSHTË PËR BRENGOSJE NËSE BIE KJO QEVERI, POR KUSH MUND TË FORMOJ QEVERINË E RE. OPOZITA E BASHKUAR ? JO, FALEMINDERIT!

NGA IBRAHIM REXHEPI

Ma gjeni një kryeministër të mirë dhe që i jep shpresë këtij vendi, unë do ta votoj. Pa asnjë dilemë , pa marrë parasysh si e ka emrin, apo prej cilit tabor politik vjen. Po mundohem që këtë emër ta gjej në mesin e atyre që po bëjnë yrysh drejt karrigeve, por asnjë nuk po më del tamam. Disa janë të sprovuar dhe me asgjë nuk na kanë bindur se e dinë çfarë i duhet këtij vendi dhe këtij populli, i cili ende po vepron me inercinë e protestave të viteve 80-ta e të 90-ta. Disa ende kanë probleme me ligjin, kurse disa të tjerë thjesht më shkojnë në nerva, jo për diçka tjetër, por kur mundohen të na shesin “dushk për gogla”. Kur për ta gjithçka është e qetë dhe madhështore, pa marrë parasysh se përballë syve të tyre digjen njerëz të gjallë ( policët), apo se i tërë qyteti është i ngulfatur nga gazi lotsjellës ( jo ai i hedhur në parlament). Një qasje e qartë makiaveliste.  Po ashtu, nuk po mundem të gjej asnjë emër nga ata që prej salloneve japin vlerësime për revolucionin e vonuar, apo për krijimin e vetëdijes së re politike.

S’ka asnjë dyshim – Isa, përkatësisht kjo qeveri duhet të shkoj. Madje është e dëmshme dhe e rrezikshme për tërë vendin nëse e përfundon këtë mandat , qoftë edhe nëpër tym e flakë, e nesër ndoshta edhe me viktima.  Rënia e saj nuk duhet të ndërlidhet me kërkesat e “opozitës së bashkuar”, të cilën,  për fatin e tij të keq, pikërisht po ky Isë ishte ndër faktorët e bashkimit të saj. Kjo qeveri nuk është ajo që meriton ky vend e ky popull,jo për shkak të “zajednicës”, demarkacionit, Gjykatës Kushtetuese, por për shumë gjëra të tjera me interes jetik për mirëqenien e  popullatës.

  1. Pos fjalëve të mëdha dhe premtimeve boshe, nuk bëri asgjë konkrete. Nuk u dëshmua si qeveri reformuese, i mungoj vullneti që të jetë faktor koheziv për tërë spektrin politik të vendit dhe nuk arriti të kuptoj se vota e popullit nuk i jep të drejtë që me pushtetin të sillet sipas tekeve individuale. Populli ua ka dhënë votën për të qeverisur,për të ndërtuar një shtet funksional dhe për t’ia kthyer shpresën këtij vendi, e cila, u konsumua gjatë qeverisjes së zëvendëskryeministrit aktual.
  2. I kaloj një vit i mandatit duke u arsyetuar se opozita destruktive  dhe arrogante nuk po e lë rehat të zbatoj konceptin e vet, por edhe duke thënë se të gjitha dokumentet zhvillimore i ka të trashëguara nga qeveria e kaluar. Mirëpo,  sikur nuk dëshiron të kuptoj se cili është roli i opozitës, ndërsa dokumentet e lëna trashëgimi nga Thaçi i ka pranuar sikur të vetat. Pra, arsyetimet janë të kota.
  3. Vizioni i saj i identifikuar përmes ligjeve fiskale, por edhe përmes buxhetit të vitin 2016 është ai i varfërisë, i ambicieve të munguara dhe i ruajtjes së qetësisë sociale duke ua marrë paratë tatimpaguesve, për t’ua shpërnda atyre që janë nën tutelën qeveritare; duke proklamuar ulje të çmimeve, e në fakt ndodhë forcimi i bizneseve dhe “ruajtjen” e normës së zhvillimit që nuk garanton punësim dhe ngjallje të shpresës për jetë më të mirë. Norma e rritjes 2-3, apo edhe 4 për qind, nëse ndodhë, do të vjen për shkak të derdhjeve të pakontrolluar të parasë publike në xhepa privat ( përmes pagave, pensioneve dhe tenderëve), të cilat do të shtojnë konsumin. Ndryshe nuk ka pasur pse të bie eksporti 23 për qind, ndërsa importi të  rritet 3 për qind. Mirëpo, kjo normë e zhvillimit nuk premton punësim e standard më të mirë; ;
  4. Ofron fakte jo bindëse për punësimin, apo se vjet janë punësuar 15 mijë veta ! Nga ana tjetër të gjitha statistikat tregojnë se nuk ka ngritje të punësimit, ndërsa investimet e huaja, ndonëse në fund të tetorit arritën në 270 milionë euro, nuk ngjallën asnjë proces të ri në vend. Për më keq, ka raste që  investimet e huaja direkte kanë ardhur përmes kredive, me të cilat janë ngarkuar kompanitë kosovare që janë në pronësi, apo në menaxhim të të huajve. Nesër kjo kredi do të shndërrohet në borxh- nëse jo publik, së paku do të jetë ngarkesë për subjektet ekonomike të vendit.
  5. Është një qeveri që stimulon importin, me qëllim të sigurimit të parasë për të mbuluar shpenzimet, ndërsa minuset (deficitin buxhetor) mbulon duke hyrë në borxhe të reja, të cilat do t’i kthej popullata- tatimpaguesit;
  6. Në fund vjen edhe çështja esenciale- lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këtë pikë asnjë qeveri nuk ka shprehur vullnet dhe guxim të përballet me këtë të ligë. Madje , në këtë lojë janë futur edhe ata  që betoheshin në strategji e në “task force” , e që nuk sollën asnjë ndryshim. Ky problem, së bashku me gjyqësinë që përligjë krimin janë dy gjëra  për të cilat  kaherë ëhstë ditur se do të jenë pengesë për liberalizimin vizave, por edhe për prosperitetin e vendit. Ndonëse me një vit “përvojë”, as kjo qeveri nuk ka dëshmuar se do të ndjekë rrugë tjetër.

Këto janë disa nga arsyet pse kjo qeveri nuk është për t’u dhimbsur. Por, a është koha që të shkoj ajo dhe a do të sjell diçka të re  për qytetarët nëse përmbushen kërkesat që vijnë nga rruga ? Unë dyshoj ? Arsyet janë të shumta.

  1. “Opozita e bashkuar” nuk ofron asnjë platformë se pse ajo duhet të marrë pushtetin. Atë e bashkojnë dy gjëra:e para, rrëzimi me çdo kusht i kësaj qeverie për shkak të “tradhtisë” që ia bëri Isa Mustafa  VLAN-it, dhe, e dyta, lakmia për poste,kolltukë dhe para. Ky koncept u sjell të mira vetëm atyre që pretendojnë pushtetin, por jo edhe popullit;
  2. VETVENDOSJE ka arsye kur flet për pafajësinë për të ligat që kanë mbuluar vendin. Mirëpo, ajo po dëshmon se më mirë funksionon në rrugë, se sa në institucione. Aty më lehtë e artikulon qëndrimin e vet, se sa në përballje përmes debatit. Nuk po e kupton se në demokracinë parlamentare ka numra, dhe se duhet pranuar vendimin që miratohet nga shumica.
  3. Prishtina është modeli më i mirë që tregon për kapacitete menaxhuese të VETVENDOSJES ! Nuk mund të mohojmë përpjekjet e qeverisjes së re komunale, por, krerët e saj më shumë po dëshmohen si “agjitprop” , apo administratorë të mirë në “Facebook”, se sa si njerëz me qasje kohezive, në mënyrë që të shtyjnë proceset e premtuara. Po ashtu është frikësuese kur një kryetar i komunës ditën ndërton e natën shkatërron, apo njerëzit që e rrethojnë “mezi e presin demonstratën tjetër”.
  4. Opozita nuk premton se ka potenciale për të qeverisur vendin. Kjo vlen posaçërisht për një numër jo edhe të vogël të individëve të cilët kanë mbajtur poste qeverisëse- ministrore, posaçërisht nga radhët e AAK-së dhe Nismës, e që me asgjë nuk u dëshmuan, pos me skandale. Disa prej tyre  “u rritën” në prehrin e Thaçit, ndërsa sot kanë zhveshur lëkurën e gjarprit, por kanë ruajtur substancën. Është e kuptueshme se njerëzit evoluojnë, ndryshojnë e transformohen, por disa individë bukur të zëshëm nga “opozita e bashkuar” së pari duhet të tregojnë se si ndiheshin kur ndanin tallin me Thaçin e  qeveritarët e tjerë.
  5. Dhe në fund, është një problem fondamental: A meriton ky vend dhe ky popull që të qeveriset nga ata që mbyllin sytë kur njerëzve iu vihet flaka, lejojnë që piromanët të keqpërdorin flamurin e UÇK-së, apo kur nuk pranojnë përgjegjësinë për zhvillimet pas protestës. Përgjegjësia e organizatorit nuk pushon në momentin kur thotë se protesta përfundoj. Ai, nëse ka ftuar njerëzit nga tërë Kosova, ndaj tyre ka përgjegjësi derisa ata të kthehen në shtëpitë e veta, posaçërisht kur dihet se nga masa, e cila vërtetë bëri një protestë për ta mbajtur mend ,  “pjellën” piromanët.

Por, situata nuk është pa zgjidhje dhe vendi nuk është pa shpresë. Isa Mustafa dhe i tërë kabineti qeveritar duhet të analizojnë rrethanat dhe të marrin vendime të guximshme, qoftë edhe për të shkuar në zgjedhje të reja.  Prej tyre nuk duhet të frikësohen, meqenëse ato nuk do të nxjerrin konjukturë tjetër, por krijojnë legjitimitet të ri. Do të ishte mirë që paraprakisht të insistojnë për votëbesim në parlament. Në këtë situatë opozita të kontrolloj pa nervat dhe të harroj gazin lotsjellës dhe të merr guxim të përballet me metodat institucionale për rrëzimin e qeverisë. Nëse nuk i ka numrta, ajo duhet të analizoj faktin se pse nuk po bënë më shumë ithtarë brenda parlamentit. Përderisa nuk përfundon i tërë ky proces, “zajendica” dhe demarkacioni me Malin e  Zi mbeten në “stand by”. Ndonëse ky skenar duket i pamundur, megjithatë, secila zgjidhje  nuk ka rrugë  tjetër ,pos përmes institucioneve. Marrja e pushtetit në forma të tjera është puç. Ndërkaq, të shtunën në rrugë nuk ishin 50 mijë, apo 100 mijë (e jo 8 mijë) puçistë, por protestues që kërkuan jetë më të mirë dhe perspektivë.