Kombëtarja e kadetëve të femrave të Maqedonisë së Veriut, ka përfunduar me sukses dhe fiton turneun FIBA “Challenger“ në Tbilisi, duke treguar paraqitje të shkëlqyeshme.
Basketbollistet e reja të MV festuan fitore ndaj gjithë kundërshtarëve, ndërsa më bindëse ishte ajo kundër Armenisë me 70 pikë diferencë.
Është gjithashtu fitorja rekord e një kombëtareje të MV-së për të rinj në garat europiane.
Njëra ndër basketbollistet më të mira dhe më të spikatura të kësaj kombëtare është edhe vogëlushja 15-vjeçare shqiptare, Dea Hoxha, e cila në këtë turne u dëshmua si një super talente e basketbollit. Ajo është nga Shkupi, ndërsa është aktive te KB Shkupi, nën udhëheqjen e trajnerit Enver Miftari.
Dea është vasha më e re në ekipin e parë të KB Shkupi, ndërsa është edhe nxënëse e shkëlqyeshme në shkollën e mesme, informon portali Shtegu. Më heret ka kënduar dhe dy herë e ka marr vendin e parë dhe një herë e ka marrë çmimin e publikut.
Aftësitë e kësaj talente nuk përfundojnë këtu, pasi Dea luan në flautë për mrekulli dhe në moshën 12-vjeçare ishte kampione në MV me ç`rast e mori vendin e parë në kategori të moshave prej 11 deri 20-vjeçare.



