Studentet heroina gjermane në mesin e refugjatëve në kufirin serbo-maqedonas
Studentet gjermane Anna Korschinek dhe Katharina Weiner, me forcat e tyre u nisën në një mision human. Me furgonin e tyre „VW“, ato morën drejtimin e Europës Juglindore, për të ndihmuar refugjatët me gjërat më të nevojshme. Në këtë udhëtim, ekipi i „Stern.de“ i kishte shoqëruar.
Një fëmijë i vogël mu në mes të rrugës. Ai është plotësisht i vetmuar. Prindërit i kishte humbur në kaosin e krijuar me refugjatë. Edhe më tej, mijëra njerëz në kufirin serbo-maqedonas janë duke pritur mënyrën se si të vazhdojnë rrugën e tyre në drejtim të Europës. Ushqimi dhe pija mungon, por vërehet nevoja dhe dëshpërimi i tyre. Midis tyre: dy studentet gjermane Anna Korschinek dhe Katharina Weiner.
Përmes faqes së tyre në Facebook, ato kishin tubuar ndihma, duke blerë ushqim për fëmijë, pampersa, ujë dhe batanije. Furgonin e tyre të pagëzuar me emrin „Paul“ e kishin mbushur përplot dhe para dy javësh ato ishin nisur në drejtim të Europës Juglindore. Atje ku shumica e refugjatëve, pas shumë kilometrave të kaluara, prisin të uritur e të stërlodhur në kolona të gjata, për të arritur në çfarëdo mënyre në Gjermani. Anna dhe Katharina i shpërndanë ndihmat aty ku kishte më së shumti nevojë. Vendimin për një aksion të tillë, ato e kishin marrë pas lajmit për vdekjen e 71 refugjatëve në një kamion në Austri. „Personalisht isha duke udhëtuar në autostradën në mes të Austrisë dhe Hungarisë, kur e dëgjova lajmin“, rrëfen Katharina. „Më duket bile se edhe e pata vërejtur kamionin në fjalë. Dhe në atë çast i thashë vetvetes: Ok, ti duhet të ndërmarrësh menjëherë diçka. Më pas e lajmërova Anën dhe e pyeta nëse ajo do të më shoqëronte, ndërsa ajo menjëherë u pajtua me idenë time“.
Që atëherë, shumëçka kishte ndodhur. Dy studentet 20 dhe 23 vjeçare gjermane, ishin liruar nga semestrat e studimeve për tre javë, duke udhëtuar nëpër Europën Lindore. Furgoni i tyre i vjetër u kishte shërbyer si mjet transportues, bujtinë dhe dhomë e ditës. Për disa nevoja të tjera, mungonte vendi: „E kam një batanije me vete, për të mos u ngrirë natën. Nga rrobet, i kemi vetëm ato më të nevojshmet, pasi nuk kemi vend të mjaftueshëm për gjera më të rëndësishme“, spjegon Anna, përcjellë „Shtegu.com“.
Në kufirin austriak, ato hasin në një familje nga Afganistani, e cila nuk ka mundur më të bartë fëmijën, ndërsa Katharina dhe Anna i marrin në krahë. Është një foshnje që ka lindur para 25 ditëve. Ka lindur në Iran, ndërsa po rritet në rrugën e arratisë. Nëna e saj ishte stërlodhur dhe nuk kishte më fuqi që ta mbajë në krahë. Në pikën kufitare, rrugët ndahen, familja duhet të vazhdojë më tej, ndërsa studentet vazhdojnë cakun e tyre drejt kufirit serbo-maqedonas.
Ndihmat e tubuara u harxhuan shumë shpejt, kështu që Katharina dhe Anna blenë një sasi të madhe të gjërave të nevojshme në një supermarket kroat, pasi u kishin ngelur edhe disa mijëra euro nga apeli i tyre për të tubuar ndihma. Në vend të organizatave humanitare, ato në kufirin kroat kishin takuar ushtarë të armatosur deri në dhëmbë. U ndaluan shpeshëherë, duke ua kontrolluar në detaje furgonin e tyre.
Një natë e kishin kaluar në Kroaci, në temperatura të ulëta, pothuajse nën zero. Përmes internetit, ato ishin orientuar se ku duhet të shkojnë më tej. Destinacioni i tyre i ardhshëm: Serbia, 500 kilometra nëpër autostrada të ndërtuara si është më së keqi. Pas shtatë orëve, ato kishin arritur në Preshevë, ku në një qendër strehimi, tashmë disa ditë, rreth 7 mije refugjatë në afërsi të kufirit maqedonas, ishin në pritje të autobusëve për të vazhduar në drejtim të Europës.
Në kufirin serbo-maqedonas, Muhamedi nga Iraku është në pritje për të kaluar kufirin, për t`iu bashkuar s`ëmës. Ai tregon se e ëma e tij tashëm është në qendrën e strehimit, por se ka probleme me zemër dhe nuk mund të orientohet. Kursesi nuk mund të kalojë kufirin, ndërsa studentet gjermane ndërhyjnë. Me këtë rast, ushtarët lëshojnë pe dhe Muhamedi mund t`i bashkohet s`ëmës. Edhe shumë e shumë refugjatë të tjerë mbeten të ndarë. Por, në të gjitha situatat edhe Anna e Katharina nuk mund të ndihmojnë. „Tashmë ngadalë po e ndejme lodhjen dhe mungesën e fuqisë“, pohon Anna.
Anna dhe Katharina blejnë edhe 600 litra ujë për mijëra njerëz. „Po pranojmë shumë falënderime, të cilat janë nga zemra. Kur këta njerëz do të arrijnë në Gjermani, ata do të na shkruajnë“, deklaron Katharina.
Për studentet gjermane, kjo është hera e dytë që kanë ardhur në kufirin serbo-maqedonas. Tashmë është koha për tu kthyer 1.600 kilometra dhe për t`iu përkushtuar studimeve. Por, në muajin shkurt, ato përsëri do të kenë kohë të lirë.
Në vegzën e mëposhtme mund të ndiqni edhe videon prej rreth dhjetë minutash të studenteve gjermane
http://www.stern.de/tv/mutige-studentinnen-helfen-fluechtlingen-auf-der-flucht-durch-osteuropa-6497054.html#utm_campaign=alle&utm_medium=rss-feed&utm_source=standard