Shqiptarja i pretë venët për të parandaluar dëbimin nga Gjermania

47 Lexime

13:28:12              2016-09-18

 

 

 

 

Me familjen e vet, Besnik Hasanaj është duke jetuar në Schönau të Gjermanisë. Në momentin që policia gjermane mori masat për dëbimin e tyre, ndodhi një rast dramatik.

 

 

 
Këtu ka ardhur për të gjetur mbrojtje për vetveten dhe familjen e vet. Kështu pohon Besnik Hasanaj, i cili që nga prilli 2015 është duke jetuar në Gjermani. Shqiptari 41-vjeçar ka pasur një lejeqëndrim të përkohshëm (duldung), një vend për profesionalizim të mëtutjeshëm dhe një kontratë për një banesë private në Schönau. Ai llogaritet si person i integruar mirë në shoqëri, por për policinë gjerrmane kjo nuk ka kurrfarë vlere, pasi ajo ndërmori masat për dëbimin e familjes shqiptare për në Shqipëri. Përpjekja e tillë e muajit gusht përfundoi në mënyrë dramatike.

 

 

 

Besnik Hasanaj kishte deklaruar se në Shqipëri kishte shkaktuar një aksident komunikacioni. Edhe pse kishte paguar dënim prej 4 mijë eurosh dhe llogari spitalore, nga ana e familjes së viktimës, ai kishte qenë gjithnjë i shantazhuar. Bile edhe krushku i tij, i cili është komisar policie, nuk kishte arritur ta mbrojë familjen. Për këtë arsye, ai me familjen e tij është larguar nga Shqipëria, por jo për arsye financiare.

 

 

 

Menjëherë pas arritjes në Gjermani, ai kishte filluar të kërkojë punë. Fillimisht familja u strehua në Mannheim, e më pas në Wiesental. Nga një shkurti e deri nga fundi i muajit gusht të këtij viti, punoi në një garazhë në Atzenbach. Pas 500 ditëve të kaluara në qendrën e strehimit, më në fund familja u vendosë në një banesë private në Schönau. Fëmijët e tyre 10-, dhe 14-vjeçar, flasin njësoj si prindërit e tyre shumë mirë gjuhën gjermane.

 

 

 

Para disa ditëve, policia gjermane ishte paraqitur në vendin e tij të punës për ta dëbuar familjen nga Gjermania. Me këtë rast, bashkëshortja e Besnikut ishte shtruar në një spital psikiatrik, pasi kishte tentuar t`i prejë venët e duarve. Qeveria lokale, e cila kishte urdhëruar dëbimin e familjes, në një komunikatë kishte shkruar: „Dëbimi i planifikuar për datën 26 gusht, ka dështuar pasi zonja Hasanaj është plagosur vetvetiu, duke ndërprerë dëbimin në aeroportin e Frankfurtit“.

 

 

 

Në Schönau është duke mbretëruar moskuptim i madh në lidhje me familjen shqiptare: „Nuk e kemi të qartë përse të ndërmerren masa të tilla ndaj një familje të integruar mirë në Gjermani, e cila ekzistencën e saj e siguron personalisht. Kjo është në kundërshtim me Ligjin për integrim“, ka deklaruar për „Badische Zeitung“ punëtori social Florian Schumacher, transmeton „Shtegu.com“.

 

 

 

Sipas qeverisë lokale, familja shqiptare edhe më tej do të qëndrojë në Gjermani por është e paqartë ardhmëria e saj.