Shqiptarja e re realizon ëndrrën e saj që të bëhet pronare e butikut në Zvicër
17:34:26 2019-08-12
Butik „Maya H“ ka qenë prej kohësh një pjesë integrale e qendrës tregtare të fshatit Reinach në Zvicër. Deri në qershor, dyert e shtëpisë së modës kanë qenë të mbyllura për më shumë se dy dekada të tëra. Por, së shpejti ato do të hapen sërish: Javën tjetër, shqiptarja e re, Samenda Bisaku do të hap butikun e saj nën emrin „Mode S“.
Pothuajse gjithçka është gati për fillimin e punës – dhe vjeshta pothuajse ka mbërritur: Pallto me gëzofe dhe triko prej leshi qëndrojnë të varura mbi dollapet e rrobave.
Muret u pikturuan të freskëta dhe u blenë disa mobilje shtesë. Përndryshe, në brendësi nuk ka ndryshuar shumë. Në mes të shitores qëndron Samenda Bisaku: „Janë duke u zhvilluar përgatitjet e fundit“.
Ajo lindi në vitin 1997 në Ermensee LU, shkruan „Aargauer Zeitung“, përcjell Shtegu.com. Në të njëjtin vit, zviceranja Maya Hunziker kishte hapur butikun e saj në Reinach. Kur Samenda Bisaku mbushi dymbëdhjetë vite, babai i saj e bleu pronën dhe e gjithë familja u transferua në Reinach, në një banesë sipër butikut.
„Qysh si adoleshente, Samendës i interesonin dyqanet e veshjeve“, thotë babai i saj. Me sy që po i ndriçonin, 22-vjeçarja konfirmon se shitja e rrobeve të modës është profesioni i saj absolut i ëndrrave. „Në këtë butik i kam kaluar ditët e mia të praktikës“. Pas një praktike trevjeçare në shtëpinë e modës Bernheim në Aarau, ajo u kthye në butikun e Maya Hunziker.
Tani shqiptarja e re, nga praktikatja kalon në pronare biznesi: „Gjatë tetë muajve që kam punuar për Maya Hunziker, kam mësuar shumë nga ajo – për proceset administrative, blerjen dhe shumë më tepër. Përveç kësaj, qëllimi im ka qenë gjithmonë të drejtoj biznesin tim“. Familja e saj e mbështet atë, informon Shtegu.com. Ish mësuesja e saj, kolegët dhe klientët nga fshati, gjithashtu janë të kënaqur me vendimin e saj: „Kjo gjithashtu më motivoi që të merrja rrezik“.
Dhe, çfarë i pret klientët e tyre? „Biznesi i modës mbetet një biznes i modës për gratë dhe burrat. Për më tepër, ekipi me Beatrice Maceo dhe rrobaqepësen tonë Lotti Spuhler, mbetet i njëjtë“, thotë Samenda Bisaku. Gjatë blerjes së koleksioneve, ajo u sigurua që asortimenti të përshtatej si për klientët e rinj ashtu edhe për më të moshuarit. „Dua të ofroj rrobe unike. Kjo do të thotë, se rrobet i blej vetëm një herë për çdo madhësi“. Përveç kësaj, ajo dëshiron të ofrojë të gjitha madhësitë dhe t’u përgjigjet gjithashtu nevojave të ndryshme të rrobeve të burrave.