Shqiptarit i duket i lartë dënimi me 3,5 vite burg në Austri

73 Lexime

14:56:34                    2017-12-20

 

 

 

 

Një shqiptar 30-vjeçar, të mërkurën është dënuar me tre vite e gjysmë burg nga Gjykata vendore e Klagenfurtit, për shkak të trafikimit të lëndëve narkotike. Ai ishte hetuar në momentin që ka dashur të trafikojë 18 kilogramë kanabis nga Italia për në Kärnten të Austrisë.

I akuzuari e ka pranuar veprën gjatë seancës, shkruan „ORF“, përcjellë „Shtegu.com“. Para disa muajsh ai e kishte njoftuar një person në Shqipëri, i cili i kishte ofruar 5 mijë euro për ta trafikuar drogën, ndërsa për shkak të gjendjes së rëndë financiare, ai ka pranuar menjëherë. Në shtator të këtij viti, ai ka udhëtuar për në Venedik, ku i është dhënë një valixhe e zezë me lëndën narkotike. Në vendkalimin kufitar Thörl-Maglern, shqiptari është kontrolluar dhe arrestuar.

Gjykatësi austriak Oliver Kriz, i cili e kryesoi seancën, pohoi se shqiptarit i janë kërcënuar deri në 15 vite burgim, duke marrë parasysh sasinë e lëndës narkotike. Nga ana tjetër, i pandehuri ka deklaruar se dënimi i shqiptuar për te është i lartë. Ai ka paralajëmruar ankesë, ndërsa Prokuroria nuk është prononcuar. Vendimi gjyqësor ende nuk është i plotfuqishëm.(Shtegu.com)