Shpurdhni, katolikë, se boll u sollët si myslimanë

74 Lexime

Kimete Berisha

Me ardhjen e Papa Franciskos në krye të Vatikanit, kanë ndryshuar do gjana, po duket sikur po ndyshon gjithçka në botën e fesë tonë të parë, katolikët po bëhen më të guximshëm, më të zëshëm, më interesant.

Katolikët shqiptarë të Kosovës, pas një heshtje biblike, për herë të parë pas 100 e kusur vitesh kanë filluar të sillen si katolikë.

Deri tash kanë jetuar si ‚kokëulur‘, si inferiorë, si ‚të huaj‘ dhe ‚të largët‘ në tokën e tyre, dhe shumë herë i kam parë (që për t’iu përshtatur masës myslimane) duke u sjellur me zhargone myslimane, duke mbajtur emrin katolik, mbiemrin mysliman (e gjyveçe tjera), për hir të të qënit ’si të gjithë shqiptarët‘, ata janë paraqitur më myslimanë se myslimanët.

Sot ka lëvizur një gur varri katolik në Kosovë.

Shumë mirë që po ndodh Llapushniku.

Shumë mirë që shqiptarët katolikë po kërkojnë varreza të ndara.

Shqiptarët e të gjitha feve janë vëllezër, qysh thuhet, ama kur vjen puna te ndarja e barabartë e pasurisë, ndahen vëllezërit prej nane e prej babe, ‚kërrsh‘ bëhen derisa ta ndajnë ‚tokën e babës‘.

Prandaj, këtu s’ka asgjë për t’u çuditur.

Llapushniku është një ngjarje normale, që do të kishte qenë mirë të ndodhte më moti.

Është krejt normale që shqiptarët myslimanë (që s’kanë pasur kurrë nevojë për një xhami në fshatin e tyre në Llapushnik) të protestojnë kundër ndërtimit të një kishe në ‚tokën e UÇK-së‘ qysh e quajnë ata, dhe është absolutisht normale që shqiptarët katolikë ta ndërtojnë një kishë për vete në Llapushnik.

Isa Boletini me pare të vetat, në tokën e tij, ua ndërtoi manastirin ‚motrave‘ të Sokolicës, e tash erdh puna që një grusht myslimanësh ta mbrojnë Llapushnikun nga një kishë e vogël.

Deri tash katolikët e kanë pasur ‚urdhër‘ nga Vatikani, që të mos bëjnë ‚zhurmë‘ me të drejtat dhe me dëshirat e tyre, mos ta imponojnë besimin dhe bindjet e tyre, por tash (tek tash) po më pëlqejnë, që kanë filluar të shpurdhin ngapak e të bëhen të gjallë.

Mos t’ua lëkundi tash eshtrat e të përmendi intelektualë e iluministë katolikë që gjatë viteve të nëntëdhjeta janë sjellur si myslimanë ose totalisht indiferentë ndaj fesë së tyre.

Jij katolik, jij mysliman, jij çfarëdo që të duash, dije që njëra fe e demanton tjetrën, por kujtoje Dostojevskin që mirë e tha se ’sikur të ekzistonte vetëm një fe, Zoti do të dukej sheshit‘.

Një fe kurrë nuk ka mjaftuar për t’iu afruar Zotit, prandaj janë krijuar fe (mbas feje), e do të krijohen edhe të tjera.

Asnjë fe nuk mjafton.

Veç dashuria (ndaj Zotit, ndaj njeriut, ndaj tokës) është ajo Feja që nuk na ndan, por na bashkon. /Bota Sot/

Marr nga blogu i saj facebook