Shkatërrohet rrjeti i rrezikshëm prej 60 trafikantësh të lëndëve narkotike

66 Lexime

21:15:55                2019-04-06

 

 

Një rrjet i trafikantëve shqiptarë të drogës është shkatërruar, më shumë se 60 persona janë arrestuar në Europë.

Më shumë se gjashtëdhjetë persona janë arrestuar, gjatë një operacioni të madh të policisë belge-franko-holandeze kundër një rrjeti trafikantësh shqiptarë të drogës, shkruajnë mediat frankofone, përcjell Shtegu.com.

Pesëmbëdhjetë prej tyre u burgosën gjatë një operacioni të madh policor të kryer në Belgjikë, Francë dhe Hollandë kundër një rrjeti të trafikimit të drogës në Shqipëri, tha të premten prokurori i Mons- Tournai në Belgjikë.

Më shumë se 8.200 bimë kanabis u konfiskuan në Belgjikë dhe Revin, në Francën Veriore. Gjithsej, pesëmbëdhjetë plantacione janë demontuar, thuhet në një deklaratë.

Vala e kërkimeve është kryer më 3, 4 dhe 5 prill nga 645 policë dhe xhandarë të Belgjikës (350) France (220) dhe Holanda (75), si pjesë e një procesi gjyqësor i cili po udhëhiqet në Tournai, që ka të bëjë me „një organizatë polikriminale shqiptare“.

Kjo organizatë është „aktive në veçanti në prodhimin në shkallë të gjerë të kanabisit, trafikimit të kokainës, prostitucionit, trafikimit të qenieve njerëzore, dokumenteve të rreme dhe pastrimit të parave“, informon më tej Shtegu.com.

Të dyshuarit kryesorë kanë qenë të vendosur në Bruksel, Liège (Belgjikë Lindore) dhe Amsterdam, por rrjeti gjithashtu ka pasur degë edhe në Francë, si dhe në Itali dhe Angli. Ai organizoi „pastrimin e aseteve të tij kriminale duke investuar në tregtinë dhe blerjen e pasurive të patundshme në Belgjikë dhe gjetiu në Europë“.

Ndër ata që u burgosën, disa kanë qenë të kërkuar edhe me urdhërarrest europian, të lëshuar nga autoritetet gjyqësore italiane, britanike apo serbe.
Hetimi, shton prokurori, filloi me demontimin e plantacioneve të kanabisit në prill të vitit 2018, në Harmiginies në rajonin e Monsit, përcjell Shtegu.com. Belgjika është alarmuar që nga vitet 2000 ndaj rreziqeve të paraqitura nga klanet mafioze shqiptare.

Prokurorët në Tournai kanë vënë në dukje se „Franca ka raportuar së fundmi këtë kërcënim në analizat e saj vjetore të krimit të organizuar“, dhe se „vendet si Skocia dhe Anglia, mafian shqiptare e kanë vënë në krye të organizatave kriminale më të dëmshme në territorin e tyre“.

Gjatë bastisjeve, gjithashtu janë konfiskuar vetura luksoze, bizhuteri, dhjetëra celularë, 200 gramë kokainë dhe rreth 90,000 euro.