ShBA-ja ua refuzoi vizat 20 zyrtarëve të Kosovës pas taksës

85 Lexime

 
 

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se më shumë se 20 zyrtarë të lartë institucionalë të Kosovës nuk kanë mundur të pajisjen me viza nga SHBA-ja për shkak të refuzimit të heqjes së taksës.

 

Ai ka thënë në Interaktiv të KTV-së se ka deputetë e ministra që s’janë pajisur me viza si masë ndëshkuese nga SHBA-ja për shkak se Kosova nuk e ka dëgjuar këshillën e SHBA-së për të hequr taksën ndaj mallrave serbe.

“Taksa ka qenë vendim i drejtë karshi agresionit të Serbisë në raport me Kosovën. E kam theksuar në disa vende. Për këtë vendim s’jemi konsultuar me vendet mike sepse kemi konsideruar se është vendim i yni i drejtë si institucione për t’iu kundërvu një shteti që mundohet ta dëmtojë subjektivitetin tonë ndërkombëtar. Por tash kemi mbërri në një pikë kur na dëmton raportet. Ka një sërë masash të SHBA-së kundër nesh. Numri i zyrtarëve institucionalë që s’kanë mundur të shkojnë në SHBA është i lartë. Ka deputetë, ministra, edhe kryeministri. Mbi 20 është numri i zyrtarëve të cilët s’kanë udhëtuar në udhëtimet e planifikuara për shkak se SHBA-ja s’ua dha vizën”, ka thënë ai duke shtuar se Kosova duhet të ketë kujdes me veprimet në raport me SHBA-në.Ka thënë se me rezistencën për të hequr taksën, Kosova po e vë veten në listën e vendeve ndaj të cilave SHBA-ja ka vënë sanksione. Në këtë listë, Tahiri ka thënë se Kosova po bëhet si Irani, Rusia e Venezuela. (INA)