Sami Kurteshi: Kosova do të mbetet bosh gjatë kësaj vere

69 Lexime

Kosova do të mbetet bosh gjatë kësaj vere: „Ekziston rreziku i një humbje të paparashikueshme“

175,000 persona me rrënjë nga Kosova jetojnë në Zvicër. Zakonisht ata tani do të „aterronin“ te të afërmit e tyre. Por jo gjatë këtij viti. Politikani shqiptar, Sami Kurteshi rrëfen se sa bosh aktualisht duket në Kosovë.

Z. Kurteshi, si është situata aktuale e koronavirusit në Kosovë?

Sami Kurteshi: E keqe. Ne jemi një nga vendet evropiane ku numri i infeksioneve po rritet më së shumti. Aktualisht ka rreth 200 infeksione të reja në ditë dhe që prej fillimit të krizës gjithsej kanë vdekur mbi 100 persona. Në krahasim me Zvicrën, e cila ka rreth katër herë më shumë banorë se sa Kosova, këto janë numra dramatikë.

Kosova konsiderohet kantoni i 27-të i Zvicrës. Sipas Zyrës Federale të Shëndetit Publik, ajo tani është njëra nga fushat e rrezikut të koronavirusit. A nuk po e dëgjoni vërtetë gjermanishten zvicerane nëpër sheshet e Kosovës gjatë kësaj vere?

Sami Kurteshi: Fatkeqësisht shumë pak. Ajo që na godet më shumë: Në mes të korrikut, rrugët tona normalisht do të ishin plot me vetura me targa të Cyrihut, Gjenevës apo St. Gallenit. Në qytetin e Gjilanit, nga e kam origjinën, zakonisht ka dyfish më shumë vetura në verë. Dhe për shkak se rrugët janë aq të ngushta, ka bllokime të mëdha trafiku gjatë gjithë ditës. Kjo është disi pjesë e skenës nëpër rrugë, në korrik dhe gusht. Përveç kësaj, baret dhe restorantet janë përplot dhe jeta vazhdon me intensitet të plotë. Tani gjithçka është e qetë, si në muajt e pranverës apo vjeshtës.

Pothuajse çdo familje kosovare ka të afërm jashtë vendit. Shumica prej tyre në Zvicër. Çfarë do të thotë nëse të gjithë këta persona nuk vijnë gjatë këtij viti?

Mbi të gjitha, do të thotë humbje ekonomike me përmasa të paparashikueshme. Rreth një e treta e popullatës kosovare jeton jashtë vendit. Nëse shumë nga këta persona nuk kthehen në vendlindje gjatë verës, konsumi do të bjerë plotësisht. Problemi me Kosovën është se ne nuk kemi kapacitete të mëdha prodhuese për të eksportauar mallra. Për më shumë se gjysmë shekulli, artikulli i vetëm i eksportit i Kosovës kanë qenë njerëzit.

Dhe pa këta njerëz që kthehen dhe konsumojnë gjatë verës, a rrënohet ekonomia?

Do të shohim nëse do të rrënohet. Do të jetë e vështirë për shumë njerëz, kjo është e sigurt. Një ose dyqani tjetër do të falimentojë. Unë do t’ju jap një shembull: vëllai im ka tre minimarkete. Ai thotë se shitjet e tij rriten dhjetëfish në korrik dhe gusht. Pas kësaj, numrat zbresin përsëri dhe në dhjetor, rreth festave të Krishtëlindjes, ato rriten përsëri.

Pra, vëllai juaj jeton nga pushimet e kosovarëve jashtë vendit?

Shumica e bëjnë këtë. Falë muajve të verës, ai mund t`i kompensojë humbjet e muajve të tjerë. Kjo është mënyra se si ai arrin të përmbushë skajet.

Dhe çfarë po bën vëllai juaj këtë vit kur njerëzit po qëndrojnë larg?

Ai ka rreth 40 punonjës dhe përpiqet të ushtrojë përgjegjësinë sociale që ka ndaj tyre, sa më mirë. Por nëse nuk hyjnë para, ai së shpejti nuk do të jetë në gjendje të paguajë pagat. Nga shteti ka shumë pak ndihma për të tejkaluar krizën. Nëse gjërat vazhdojnë kështu, do të jetë e vështirë, veçanërisht pas verës dhe shumë familje do të përballen me një dimër të vështirë.

Koha e verës është gjithashtu koha e dasmave në Kosovë. Shumica e kosovarëve nga Zvicra udhëtojnë në shtëpi në korrik dhe gusht, për të festuar dasmën me të afërmit e tyre. Si është gjatë këtij viti?

Dasmat janë ndërprerë. Dhe kjo nuk është vetëm një dëm për festat e bukura, është një industri e tërë që po shkatërrohet. Dasmat në Kosovë pothuajse konsiderohen si industria e tyre. Aty ka shumë para. Madje kishte edhe këngëtarë të dasmave që protestuan.

Protestë nga këngëtarët e dasmave?

Është e vërtetë! Në Kosovë njerëzit jetojnë nga performancat nëpër dasma, duke vallëzuar dhe duke kënduar. Për ta tani është një tronditje që dasmat tani janë ndaluar.

A ka zvicerano-kosovarë që përkundër rekomandimeve të BAG tani vijnë në Kosovë?

Padyshim që ka disa, por ata nuk janë shumë. Përderisa gjatë verës në Prishtinë zakonisht takoj shumë të njohur nga Zvicra, deri më tani kam takuar vetëm një. Një koleg i vjetër nga Cyrihu. Ai është i pavarur dhe tha se nuk e kishte problem të karantinohej në shtëpi për dy javë.

A mendoni se paralajmërimi i BAG është i ekzagjeruar?

Jo. Në këtë moment, nuk këshilloj askënd të udhëtojë në Kosovë. Rreziku i infeksionit është shumë i lartë dhe mundësitë mjekësore janë të ulta. Nuk ia vlen t`u nënshtrohesh këtyre rreziqeve.

Çfarë masash po ndërmerr qeveria?

Qeveria është një rrëmujë. Pas rënies së Albin Kurtit në muajin mars, vendi tani drejtohet nga kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti Hashim Thaçi. Ky i fundit ka gënjyer shumë në të kaluarën dhe tani duhet t’i përgjigjet Gjykatës ndërkombëtare në Hagë për krime lufte. Popullatës po i mungon besimi. Kjo gjithashtu mund të ndjehet te masat e koronavirusit.

Si?

Ekziston një ndalim për dalje në pesë qytetet e mëdha, nga ora 21.00 pasdite deri në 05.00 të mëngjesit. Por askush nuk i përmbahet atij. Zyrtarët e zbatimit të ligjit gjithashtu nuk kanë asnjë bazë ligjore për të ndërmarrë masa ndaj personave që i shpëtojnë ndalimit. Dyqanet dhe restorantet janë hapur normalisht, mbajtja e distancës nuk respektohet, vështirë se dikush vesh një maskë mbrojtëse. Shumë njerëz janë të informuar dobët dhe nuk e kuptojnë se çfarë po ndodhë.

Si është situata nëpër spitale?

Aktualisht ka mbi 300 persona në spitale për trajtim. Atje, kushtet janë të këqija. Gruaja e vëllait tim është kryemjeke në infektiologji në spitalin e Gjilanit. U tremba kur e takova kohët e fundit. Ajo dukej tepër e lodhur. Më tha që aktualisht ishte duke punuar në ndërrime 20-orëshe dhe po vuante shumë nga presioni.

Kjo nuk tingëllon mirë. Në një krizë si kjo, dëshirohet afërsia me familjet. Por kjo te ju nuk është e mundur …

Padyshim, unë do të dëshiroja shumë përsëri t`i shoh anëtarët e familjes sime nga Zvicra dhe miqtë e mi. Por thjesht e kuptoj që kjo nuk është e mundur tani. Ne flasim shumë me telefon dhe mund ta shohim njëri-tjetrin në video. Nuk është e njëjta gjë, por është diçka. Vitin tjetër do t`i bëjmë të gjitha dasmat dhe festivalet e fshatit. Të shpresojmë.

Intervistë e huazuar nga „Watson“, përshatur nga Shtegu.com

*********************************

Sami Kurteshi, 60 vjeçar, ka jetuar në Zvicër gjithsej 15 vite, nga viti 1981 me disa ndërprerje. Ai studioi shkencat politike, sociologjinë dhe të drejtën ndërkombëtare në Bernë dhe Cyrih. U konsiderua një zë i rëndësishëm në diasporën kosovare-shqiptare në Zvicër dhe kryesoi Qendrën Shqiptare në Bernë. Në vitin 2007 u kthye në atdhe dhe që atëherë jeton në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë. Nga viti 2009 deri në vitin 2015 ishte ombudsmani i parë kombëtar për të drejtat e njeriut në Kosovë. Është anëtar i bordit të partisë së majtë Vetëvendosje, kandidati kryesor i së cilës, Albin Kurti mori detyrën e kreut të qeverisë në muajin shkurt. Por në fund të marsit, Kurti u rrëzua nga parlamenti për shkak të një votimi mosbesimi.