Rruga „Afuzpashina“ shembë të gjitha „të arriturat“ e BDI-së
01:40:41 2016-01-18
Këto fotografi jemi mësuar që t’i shohim tanimë çdo ditë, pasi janë bërë përditshmëri për qytetarët shqiptarë të qytetit të Shkupit. Pavarësisht se jemi në vitin 2016, rrugët e paasfaltuara dhe balta, janë gjërat që vazhdojnë t’i shoqërojnë banorët e lagjeve të banuara me shqiptarë, gjëra këto që bashkëqytetarët e lagjeve maqedonase, i kanë mbyllur në kapitullin e harresës.
Rruga Afuzpashina, e cila lidh lagjen e Gazibabës me Bit Pazarin, është e lënë pas dore tanimë një kohë të gjatë. Qytetarët thonë se ka kohë që presin që e njëjta të asfaltohet, megjithatë një gjë e tillë nuk ka ndodhur akoma. Ata drejtojnë gishtin kah autoritetet përgjegjëse, duke i cilësuar ata si fajtorët kryesorë. (TV Shenja)
Nuk ka dyshim se të arriturat e BDI-së janë gjigante, duke përfshirë këtu hapjen e universiteteve, zyrtarizimin e gjuhës së cunguar shqipe, sjelljen e përmendoreve nëpër sheshet më të rëndësishme të qyteteve në Maqedoni, varfërinë gjithnjë e më të madhe që po kaplon çdo pore të jetës ku jetojnë shqiptarët etj. etj. Por, vetëm një gjë mbetet e paqartë, si të shkohet përmes rrugës „Afuzpashina“ deri te këto arritje, pasi është një rrugë e cila është nyje e rëndësishme për të arritur në të arriturat e BDI-së?! A nuk është turp të përfaqësohet një institucion me këtë „të arritur“ në mes të Shkupit, mu në mes të shqiptarëve, në afërsi të shkollës ku fëmijët do të edukohen se si të injorohen interesat e një popullate të tërë, të lënë pasdore tashmë e disa dekada. Shtrohet pyetja, vallë nëse politikanët tanë e kuptojnë fjalën „premtim“ dhe „realizim“. Ata vetëm po premtojnë dhe asgjë nuk janë duke realizuar. Si duket më tepër janë fokusuar në probleme ideologjike, të cilat edhe më shumë i largojnë nga realiteti i hidhur se shqiptarët tashmë janë shndërruar në qytetarë të dorës së tretë (jo të dytë) në Maqedoni. Me siguri se Komuna e Çairit do të reagojë duke deklaruar se nuk ka buxhet të mjaftueshëm për rregullimin e kësaj rruge. Së paku bile le të bëjë një shpallje publike me kërkesë për ndihma humanitare nga popullata dhe me siguri se mjetet do të sigurohen shumë shpejt. Por, një gjë e tillë është e pabesueshme të ndodhë, pasi në pyetje është „kredibiliteti“ i të arriturave shterpë të tyre. Vërtetë një turp i pashoq që nuk ka se si të arsyetohet. (Shtegu.com)