Rrëqethëse: Tre jetimë nën kujdesin e gjyshit të sëmurë

41 Lexime

17:29:56        2016-01-22

 

 

Është vetëm 8 vjeçar, por i është trashëguar detyra e kryefamiljarit.  Kjo pasi, Idrizit nga fshati Çajlanë i Sarajit, babai i ka vdekur një muaj më parë, ndërsa nëna e ka braktisur. Kështu atij i është ngarkuar barra të ruaj motrën 6 vjeçare, vëllain e vogël 3 vjeçar dhe gjyshin në gjendje të rënduar shëndetësore.

Gjyshi Idriz, emrin e të cilit e trashëgon nipi i tij pa prindër, shpjegon gjendjen e tij, duke shtuar se harron dhimbjet e tij, por shpirti i digjet kur sheh nipat dhe mbesën e tij në këtë gjendje.

“M’i ka lënë djali tre jetima. Nëna i ka ikur, nuk qëndroi. Nipat nuk do t’i lë kurrë vetëm. Më dhimbsen por çfarë të bëj?! Mjaft mundohem por nuk po mundem. Nuk po shoh, jam i verbër”, thotë gjyshi Idriz Ramadani.

Merr pension shumë të vogël dhe vështirë e ka të kalojë një ditë, pa ndihmën e djalit tjetër Shabanit dhe shoqen e tij, të cilët nuk i takoi kamera e Televizionit SHENJA.

“Për fëmijët kujdeset bashkëshortja e djalit tjetër. Nuk ka kush të kujdeset tjetër, po vuajmë kështu. Kam dëshirë t’i përqafoj, të kujdesem për ta”, thotë i përmalluar gjyshi Idriz.

Idrizi i vogël kujton me mall, ditët kur babi i tij ishte i shtrirë dhe po kalonte ditët e fundit. Ai thotë se nuk do ta harrojë kurrë amanetin e babait dhe premton se do ta çoj në vend.

“Sa ishte babai i sëmurë, ky divan ishte në skajin tjetër, ka qëndruar aty i sëmurë. Më ka kërkuar supë, makarona, i kam bërë. Të gjitha i kam bërë. Amanet ma ka lënë punën dhe shtëpinë”, thotë Idrizi i vogël.

Ai thekson se ka ca dëshira.

“Dua të kem kompjuter, por nuk kam para. Dua të luaj me kompjuter, të shikoj televizion me motrën, çunin e axhës, etj”.

7 anëtarët e familjes Ramadani nga fshati Çajlanë, muajin e kalojnë vetëm me pensionin e më të moshuarit në familje. Ata ankohen për fatura të shtrenjta, ndërkohë shtëpia e tyre është e rregulluar vetëm në një dhomë, ku edhe e ndajnë së bashku 7 anëtarët. Mungon banjo, kuzhina por edhe izolimi i shtëpisë në të cilën era dhe lagështia depërtojnë gjithandej.

Të gjithë ata që janë të interesuar dhe kanë mundësi të ndihmojnë rreth rastit në fjalë, mund t’i kontaktojnë ata në numrin 00 389 71/424-814. Adrian Kerimi /SHENJA/