Rrëfimi emocional i infermieres: Foshnja qante pa ndërprerë, ndërron jetë në avion

53 Lexime

15:13:17                2019-04-23

 

 

Një çift i ri nga Arabia Saudite, me vajzën e tyre dymuajshe ka dashur të fillojë një jetë të re në Australi. Por, gjatë fluturimit vajza ndërron jetë. Katër mjekë nuk kanëmundur ta shpëtojnë fëmijën. Foshnja vdes në krahët e një gruaje, e cila e ka rrëfyer ngjarjen.

Përmes Facebook-ut, infermierja australiane Nadia Parenzee ja treguar një histori të tmerrshme. Ajo ishte në fluturimin e saj të kthimit nga Malajzia për në Perth të Australisë me Asia Air, kur një vajzë dymuajshe i vdiq në krahët e saj. Fëmija i përkiste një çifti nga Arabia Saudite, i cili gjithashtu gjendej në avion. 

Që nga fillimi i fluturimit, foshnja rregullisht ishte e shqetësuar dhe qante në vazhdimësi. „U ofrova mbështetje prindërve dhe stafit, pasi kuptova se prindërit e rinj ishin të ngarkuar“, shkruan Parenzee, informon Shtegu.com. Gjatë fluturimit, ajo pastaj e luti një stjuardesë për t`ju ofruar ndihmë. Prindërit e dëshpëruar ia vendosën fëmijën në krahë. Atje foshnja dha frymën e fundit dhe fjeti për të mos u zgjuar më lurrë.

Në një intervistë për gazetën „The West Australian“, infermierja australiane tha se që nga fillimi kishte një ndjenjë shumë të keqe: „Ma dhanë foshnjën dhe vetëm mendova, oh zot, kjo foshnje e paska ngjyrën gri. Ajo nuk merrte frymë si duhet“, ka rrëfyer infermierja. „E vendosa fëmijën në tavolinën ku ishte përgatitur ushqimi, e dëgjova pulsin dhe frymëmarrjen dhe mendova me vete: ‚Oh zot, kjo foshnje po vdes'“.

Ajo pastaj thirri për ndihmë dhe donte të dinte nëse kishte ndonjë mjek midis udhëtarëve. Të paktën katër persona u paraqitën si mjekë dhe menjëherë filluan të ringjallin foshnjen. Të tjerët filluan të kontrollojnë kutinë mjekësore të avionit për pajisje. „Për dy orë e gjysmë u shkaktua kaos në avion“, thotë Parenzee. Pas uljes, foshnja u pranua nga ekipi i emergjencës. Por, për foshnjen e vogël çdo ndihmë ishte e vonshme.

Foshnja kishte qenë fëmija i parë i çiftit të ri, vazhdon të rrëfejë Parenzee. Prindërit u tronditën plotësisht. „Nëna vetëm qante dhe bërtiste, `Kjo është foshnja ime`“, thotë Parenzee. Më parë, burri kishte spjeguar se familja e re kishte vendosur të shpërngulej për në Australi, për një jetë më të mirë, njofton Shtegu.com. Vetëm një javë më parë, ata kishin qenë te mjeku me vajzën e tyre, për një ftohje të saj.

„Po më dhemb zemra. Nuk e di se si po e ndjej veten. Por, ishte një nder që e mbajta foshnjen në duart e mia dhe u luta për te, para se të vdiste“, përfundoi Parenzee. Australianja gjithashtu falënderoi stafin e avionit.

Linja ajrore e ka konfirmuar incidentin. Në një mesazh, ajo i ka ngushëlluar prindërit. Arsyeja e vdekjes së foshnjes mbetet e paqartë.