Redaksia e „Shtegu.com“ zgjedhë tetovarin Setki Ibraimin për „Personalitet të vitit 2024“

239 Lexime

E bujshme është jeta e politikanit shqiptar nga Stockerau i Austrisë, Setki Ibraimi, i cili tashmë 30 vite jeton dhe vepron në këtë komunë. Setkiu është me prejardhje nga Siniçani i Tetovës, ndërsa e ka përfunduar shkollën e tregtisë. Në moshën 20-vjeçare, ai vendoset në Austri përmes bashkimit familjar. Si edhe shumica e mërgimtarëve tanë, edhe Setkiu nuk e kishte problem të madh të përsoste gjuhën gjermane dhe të integrohej fuqishëm në përditshmërinë austriake. Duke bashkëjetuar me shumë familje shqiptare në këtë komunë dhe duke dashur t`u vijë në ndihmë me potencilain e vet grandioz, Setkiu vendosi të merret edhe me aktivitete politike, të cilat në vitin 2016 rezultuan me zgjedhjen e tij si asambleist në Komunën Stockerau, nga Partia Popullore austriake ÖVP

 

Setkiu nuk heziton në asnjë moment që të ndihmojë bashkatdhetarët sa u përket problemeve të ndryshmë që i tangojnë ata. Problemet me të cilat ballafaqohen ata janë lehtësimi i kushteve të çështjes banesore dhe lejeqëndrimi në vend, punësimi i tyre, përmirësimi i standardit jetësor të tyre etj. Me fjalë të tjera, Setkiu u vjen në ndihmë bashkatdhetarëve tanë që të mund të integrohen në shoqërinë austriake si është më së miri.

 

Në këtë kontekst, nuk mungon edhe bashkëpunimi me homologët e tij në Austri, siç është rasti me asambleistin Nisret Bujari në Baden etj.

 

Synimet e Setkiut nuk përfundojnë me kaq, ai dëshiron të vazhdojë t`i përfaqësojë edhe më tej shqiptarët në Austri me dinjitet dhe do të përpiqet të ngjitet edhe më lartë në skenën politike.

 

Së fundmi, ai ka paraqitur kandidaturën për një mandat të tretë në zgjedhjet e Qytetit Stockerau, të cilat do të mbahen më 26 janar 2025, si pjesë e Partisë Popullore ÖVP të Austrisë.

 

Gjatë karrierës së tij, ai ka kontribuar ndjeshëm në mbështetje të integrimit të të huajve dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për emigrantët dhe komunitetet e tjera që jetojnë dhe veprojnë në qytetin ku Setkiu po e paraqet kandidaturën e tij për herën e tretë.

 

Setki Ibraimi mban titullin “Ambasador për Integrimin e të Huajve në Republikën e Austrisë”, duke përfaqësuar interesat e të huajve dhe punuar për mundësi më të mira integrimi në shoqërinë austriake. Ai është një mbështetës i vazhdueshëm i krijimit të një shoqërie të hapur, demokratike dhe të bashkuar, ku të gjithë qytetarët mund të kontribuojnë dhe të përfitojnë të drejtat e tyre.

 

Përveç angazhimeve politike, Setki Ibraimi është një diplomat i njohur, i cili ka edhe titullin Akademik, i zgjedhur anëtar i rregullt i Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave dhe Arteve në Nju Jork, një vlerësim për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në diplomaci, politikë dhe kulturë. Po ashtu, ai mban titullin Ambasador i Paqes në Nju Jork, një rol që thekson angazhimin e tij për promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

 

Setki Ibraimi është një figurë kyçe që përfaqëson angazhimin për integrim dhe zhvillim në një shoqëri të hapur, demokratike dhe të bashkuar, duke u bërë një model për të gjithë ata që besojnë në fuqinë e bashkëjetesës dhe përparimit të përbashkët.

 

Redaksia e portalit „Shtegu.com“ ka vendosur që Setki Ibraimin ta shpallë „Personalitet të vitit 2024“ në diasporën shqiptare duke iu referuar aktiviteteve të tij të palodhshme për të ngritur sa më lartë zërin e shqiptarëve jashtë vendit dhe duke pasqyruar në mënyrë sa më të mirë imazhin e shqiptarëve kudo që janë. Ai njëherit është edhe frymëzim për gjeneratat e reja që të ngjiten majave më të larta të integrimit nëpër vendet e ndryshme të botës. Setkiut i urojmë shumë fat dhe harmoni në jetë.